Gent Malko është anëtar i Këshillit Kombëtar, kritik ndaj lidershipit të Lulzim Bashës, por jo pjesë e grupit “Për PD-në”.

“Do të kishte qenë ideale që gjithë ai numër njerëzish me linjë kritike pas 2017 të ishin mbledhur së bashku, se do të ishin më imponues brenda PD-së. Fakti që jemi fragmentizuar sjell edhe pamundësinë për t’u imponuar”, thotë Malko i ftuar në Absolut 4.

Por pse ndodh kjo? “E kam vrarë mendjen edhe vetë, dhe besoj se ka të bëj pak me mentalitetin e popullit dhe partisë, ku ne lidhemi më shumë me liderin, ndërkohë që nuk e kemi të fortë idenë e përbashkët”, shton ai.

Fraksionet në partitë shqiptare sipas tij shihen si element për t’u shkatërruar.  “Pasja e fraksioneve nuk është në mentalitetin e partive tona.

Fraksionet janë një element shumë i rrezikshëm për liderët tonë. Në teorinë politike fraksionet janë pjesë të partisë që kanë një qasje ideologjike të ndryshme mbi çështje të caktuara.

Ata mund të shuhen brenda partisë ose mund të krijojnë ndarje. Eksperimenti i 92 brenda PD ishte i fundit në PD, pikërisht sepse u pa si i rrezikshëm”, nënvizon Malko.

Sipas tij, “për Topallin dhe Patozin, në një parti që drejtohet me këtë qasje, nuk mund të ketë vend. Ishte frika e Bashës që ata mund të ishin konkurrentë të fortë për lidershipin,  ndërkohë që ata kishin dyshime që gara zgjedhore do të kishte qenë e ndershme”.

Malko, edhe pse disident ndaj Bashës, ka qenë pjesë e grupit për ndryshimet statutore në atë parti.

“ Unë e shoh PD subjektin që përfaqëson idealet e mia. Në momentin që u propozova si pjesë e grupit për ndryshimet statutore, mu duk momenti që të jepja kontributin tim për të gjithë ato çështje të munguara që unë nuk i gjeja të përfaqësuara në atë statut.

Disa nga qëndrimet më blu, më të djathta tek ai statut janë nga propozimet e mia.  Çështja  e familjes, e pronës, çështja e lustracionit. Ishim parti që përfaqësonim të persekutuarit por për 27 vjet nuk e kishim përmendur si mundësi, për zgjedhjen e kandidatëve.

A u aplikuan ato standarde në zgjedhjet e 25 prillit, është punë tjetër, por bëra përpjekjen time”, sqaron pozicionin e tij Malko.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re