Një nga emergjencat më të mëdha që preku pothuajse të gjithë territorin e Pukës ishte situata e zjarreve në pyje gjatë muajit gusht. Situata në Pukë u bë kritike, pasi disa vatra zjarri u përhapën në sipërfaqe të mëdha pyjore dhe, në disa raste, përbënin një rrezik serioz për banesat, banorët dhe fshatrat përreth. Kushtet atmosferike, temperaturat e larta, erërat e forta dhe terreni i vështirë favorizuan përhapjen e zjarreve në zona të gjera, duke e bërë të domosdoshëm vigjilimin e vazhdueshëm dhe reagimin e komunitetit.
Gjatë këtyre ditëve, përballë situatës tejet kritike, anëtarët e Rrjetit të Komunitetit (CRN) u angazhuan aktivisht në mbledhjen dhe shpërndarjen e informacionit nga terreni, komunikimin me banorët, si dhe përcjelljen e këshillave për sigurinë dhe masave parandaluese. Ata informuan komunitetin mbi situatën e zjarreve, u bënë thirrje banorëve të qëndronin vigjilentë, të shmangnin ekspozimin ndaj rrezikut dhe të njoftonin menjëherë autoritetet përkatëse për çdo vatër të re zjarri.
Përmes komunikimit të vazhdueshëm me komunitetin, shkëmbimit të informacionit dhe ndërgjegjësimit për masat e sigurisë, anëtarët e CRN-së kontribuuan në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e banorëve nga rreziqet e shkaktuara nga zjarret. Angazhimi i tyre ndihmoi në forcimin e kapaciteteve të komunitetit për t’iu përgjigjur situatave emergjente. Fatmirësisht, gjatë kësaj situate nuk u raportuan persona të lënduar apo viktima. Një rol të rëndësishëm anëtarët e CRN-së luajtën edhe në njoftimin e institucioneve vendore dhe ekipeve të emergjencave për rreziqet me të cilat përballeshin banorët.
Falë përkushtimit dhe angazhimit vullnetar të dy anëtarëve të CRN-së, një familje në fshatin Prozhem u mbrojt nga rreziku i zjarrit, pa pësuar dëme. Ata kontribuuan drejtpërdrejt në evakuimin e banorëve dhe largimin e sendeve më të rëndësishme të shtëpisë, duke e paralajmëruar familjen për afrimin e zjarrit. Autoritetet përkatëse reaguan pozitivisht dhe brenda një kohe shumë të shkurtër.
Kjo përvojë tregon se, kur komunitetet janë të informuara, të organizuara dhe bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, veprimi i përbashkët mund të shpëtojë jetë, të mbrojë familjet dhe të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në përballimin e situatave emergjente.
