Aktorja holivudiane dhe e dërguara speciale e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) Angelina Jolie i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të bëjë më shumë për miliona njerëz në Pakistanin e goditur nga përmbytjet.

Gjatë një vizite në Qendrën Kombëtare të Koordinimit të Reagimit ndaj Përmbytjeve të mërkurën, Jolie tha se nuk kishte parë kurrë një fatkeqësi si kjo më parë.

“Kam qenë këtu shumë herë për shkak të bujarisë së treguar nga pakistanezët ndaj popullit të Afganistanit në vitet e fundit kur u ofruan strehim atyre. Tani shohim se vendet që i bëjnë më pak dëm mjedisit mbajnë barrën e fatkeqësisë si dhe dhimbjen dhe vdekjen”, tha Jolie gjatë fjalimit të saj.

Ajo mbërriti në Pakistan të martën për të ndihmuar njerëzit e prekur nga përmbytjet shkatërruese, duke vizituar disa zona dhe duke takuar familjet.

“Unë jam plotësisht me ju për të inkurajuar komunitetin ndërkombëtar të bëjë më shumë”, shtoi ajo.

Aktorja theksoi se fatkeqësia është një thirrje zgjimi dhe se ndryshimet klimatike tashmë janë prezente.

Të paktën 1.576 persona humbën jetën nga përmbytjet në Pakistan. Më shumë se 2 milionë ndërtesa banimi u dëmtuan.

Vlerësohet se një e treta e vendit është nën ujë ndërsa pasojat i kanë ndjerë më shumë se 33 milionë njerëz.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re