Rinovimi deri në vitin 2028 e shndërron Thomas Tuchel ndër trajnerët më të paguar në arenën ndërkombëtare. Gjermani, i cili mori drejtimin e përfaqësueses së Anglisë në janar 2025 pas largimit të Gareth Southgate, ka arritur objektivin e parë madhor, duke e çuar Anglinë në pjesëmarrjen e tetë radhazi në Kupën e Botës.
Tani synimi është më i madh: të shfrytëzohet potenciali i një brezi të artë me emra si Harry Kane, Jude Bellingham, Phil Foden dhe Cole Palmer.
Rinovimi i kontratës konsolidon Tuchelin edhe në renditjen e trajnerëve më të paguar në botë. Para zgjatjes së marrëveshjes, ai përfitonte rreth 5.8 milionë euro në vit, duke u renditur i dyti pas vetëm Carlo Ancelotti, aktualisht në krye të pankinës së Brazilit, i cili fiton rreth 10 milionë euro në vit + 5 milionë bonus nëse fiton Kupën e Botës 2026.
Me marrëveshjen e re, paga e tij do të rishikohet në rritje, duke e afruar ndjeshëm me shifrat e teknikut italian dhe duke konfirmuar besimin e plotë të Federatës Angleze te projekti i tij afatgjatë.
Marrëveshja e mëparshme e teknikut gjerman do të përfundonte në fund të Botërorit që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Megjithatë, drejtuesit e FA-së vendosën ta çojnë përpara projektin me ish-trajnerin e Chelsea dhe Bayern Munchen, duke i ofruar një zgjatje 2-vjeçare.
Vendimi erdhi pas një fushate kualifikuese perfekte për Kupën e Botës: tetë fitore në tetë ndeshje dhe asnjë gol i pësuar në grup.


