Dy anije luftarake të marinës amerikane po lundrojnë nëpër ujërat ndërkombëtare në ngushticën e Tajvanit, thanë tre zyrtarë amerikanë për Reuters, operacioni i parë i tillë që nga rritja e tensioneve me Kinën lidhur me vizitën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Tajvan.

Vitet e fundit, luftanijet amerikane, dhe herë pas here ato të vendeve aleate si Britania e Madhe dhe Kanadaja, kanë lundruar në mënyrë rutinore përmes ngushticës, duke zemëruar Pekinin.

Kina, e cila pretendon Tajvanin si territorin e saj, pavarësisht kundërshtimeve nga qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike në Taipei, nisi stërvitjet ushtarake pranë ishullit pas vizitës së Pelosit në fillim të gushtit dhe ato ushtrime kanë vazhduar.

Udhëtimi zemëroi Pekinin, i cili e pa atë si një përpjekje të SHBA-së për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës.

Zyrtarët, duke folur në kushte anonimiteti, thanë të shtunën se kryqëzorët e marinës amerikane Chancellorsville dhe Antietam po kryenin operacionin, i cili është ende në vazhdim.

Ngushtica e Tajvanit ka qenë shpesh një burim tensioni ushtarak që kur qeveria e mundur e Republikës së Kinës iku në Tajvan në vitin 1949, pas humbjes së një lufte civile me komunistët, të cilët themeluan Republikën Popullore të Kinës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re