Prej disa ditësh ka qarkulluar në media lajme se dy vajzat e familjes Josifi, Anisa dhe Blerta, frekuentonin kishën “Rilindja” në Tiranë që drejtohet nga pastori, Fitor Muça.

Madje në shkrimet e ndryshme aludohej se dy vajzat ishin larguar nga kjo kishë pasi kanë patur konflikte me pastorin dhe ishin të pakënaqur nga kisha “Rilindja”. Për të folur rreth këtyre aludimeve, ishte i ftuar në “Shqipëria Live” pikërisht pastori Fitor Muça, i cili i hodhi poshtë këto fjalë.

“Ato kanë qenë te kisha “Rilindja” nga fundi i vitit 2009 deri në 2013. Vajzat janë larguar nga kisha rreth 7 vite më parë. Janë larguar pa më thënë gjë mua, por nuk ka patur asnjë konflikt apo hatërmbetje me vajzat”, tregoi pastori.

Muça shtoi se kur ka pyetur se pse janë larguar vajzat ka marrë përgjigje: “Ishin larg në Kombinat dhe e kishin vështirë të vinin te kisha në qendër”.

“Fillimisht më është thënë që vajzat nuk e ndiqnin dot kishën në qendër pasi ishin larg në Kombinat. Kisha është si familje dhe shqetësohesh kur dikush nuk vjen. Jemi munduar që të kontaktojmë me to, por më pas vajzat kanë refuzuar që të flasin, duke thënë se kanë marrë kohë për Zotin dhe veten”, tha Muça.

Pastori u shpreh se vajzat ishin të mrekullueshme: “Ishin plot pasion për Perëndinë dhe madje dëshira ime ishte që ato të ecnin, të bëheshin si lidere te kisha. Ne nuk i pengojmë njerëzit të largohen nga kisha, dhe as që të kenë kontakt me ata që vijnë te kisha jonë”, u shpreh Fitor Muça.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re