Një zyrtar turk të hënën iu bashkua zërave në rritje të dënimit mbi komentet ofenduese të zyrtarëve të partisë indiane në pushtet BJP për Profetin Muhamed.

“Dënojmë ashpër fjalët fyese të zyrtarit të BJP kundër Profetit”, tha Omer Çelik, zëdhënës i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) të Türkiye-s (Turqisë), në Twitter.

Çelik nënvizoi se kjo fyerje është bërë jo vetëm ndaj muslimanëve në Indi, por edhe ndaj muslimanëve në mbarë botën.

Ai mirëpriti përjashtimin e BPJ-së të një prej politikanëve në fjalë nga partia dhe autoritetet indiane dënuan komentet.

“Kjo qasje duhet të jetë shembullore. Presim që qeveria indiane të marrë masat e nevojshme përballë islamofobisë në rritje dhe të forcojë lirinë fetare të muslimanëve”, shtoi Çelik.

Javën e kaluar, zëdhënësi i BJP në pushtet, Nupur Sharma dhe Naveen Kumar Jindal, kreu i medias së BJP-së në Delhi, bënë komente fyese për Profetin Muhamed, duke shkaktuar valë reagimesh në vend dhe në botën islame.

Të hënën, India tha se komentet nuk pasqyrojnë pikëpamjet e qeverisë ndërsa “organet përkatëse” ndërmorën veprime të rrepta kundër tyre.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Arindam Bagchi tha se ata “nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë pikëpamjet e qeverisë së Indisë”.

BJP tha të dielën se kishte pezulluar Sharma-n dhe kishte dëbuar Jindal në përgjigje të komenteve fyese.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re