Kultivuesit e luleshtrydheve në Kafaraj në pikun e sezonit të vjeljes janë duke u përballur me një sërë vështirësish. Kryefjalë e shqetësimit të tyre mbetet mungesa e fuqisë punëtore, e çmimit të luhatshëm, moskorrektësisë në shlyerjen e faturave nga pikat e grumbullimit dhe mungesa e politikave mbështetëse nga shteti.

“Unë dua një milionë lekë në vit për punimet e tokës, lëre pastaj plehrat që janë shtrenjtuar shumë, unë kam nevojë për ndihmë nga shteti se nuk i përballoj dot, jemi të dy burrë e grua, pension nuk kemi, të ardhura nuk kemi. Nuk të vjen punëtori pa 20 mijë lekë, nuk e marr dot.”

“Pesticidet me çmim shumë të shtrenjtë, edhe nuk bëjnë efekt, një herë në tre katër ditë duhet ti bëj, por nuk e përballoj dot, kemi ngelur vetëm, fëmijët kanë ikur me familjet e tyre. Nuk kemi mbështetje, nuk ka prodhim.”

Kultivuesit pohojnë të indinjuar se mungesa e politikave mbështetëse po i penalizon për të shtuar sipërfaqet e mbjella me luleshtrydhe ndërkohë që kërkesa në tregun europian sa vjen e shtohet.

“Tani fillon piku i vjeljes së luleshtrydhes, fund shkurti deri mes qershori, fuqia punëtore mungon. Mbështetja nga shteti ka qënë zero. Është një kulturë që fillon vjelja që në dhjetor dhe kërkohet por nuk kemi sasinë e duhur që të konkurojmë, nuk i shtoj dot sipërfaqet e mbjella se nuk e përballoj dot. Në ditët në vijim do ulet edhe çmimi se kemi konkurencë edhe nga tregu ballkanik dhe ai europian.”

Kjo zonë në Fier njihet si ferma më e madhe e kultivimit të luleshtrydheve në Shqipëri, ndërsa kultivuesit shprehen se pjesa më e madhe e produktit shkon për eksport./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re