Skip to content

Ankesa për dritat te Xhafaj, MASR masë disiplinore dy drejtuesve të DAR Lezhë

Pas ngritjes së shqetësimit publik në lidhje me mungesën e energjisë elektrike në shkollën Orosh të Mirditës, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka bërë verifikimet në terren duke konstatuar të drejtë problematikën e ngritur.

Nisur nga ky shqetësim konkret, gjatë një takimi publik të zhvilluar në Lezhë, Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë ka nisur sot më 07.05.2018 procedimin disiplinor me motivacionin “Mospërmbushja e detyrave, mosmarrja e masave për situatën e krijuar nga mungesa e energjisë elektrike për një periudhë të gjatë në shkollën Orosh, që ka cënuar mbarëvajtjen e procesit mësimor” ndaj punonjesit të DAR Lezhë dhe të Zyrës Arsimore Mirditë.

Ndërkohë në komunikim zyrtar me OSHEE, MASR garanton se shumë shpejt situata në shkollën e Oroshit do të marrë zgjidhje.

Shqetësimi u ngrit gjatë një takimi të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pak ditë më parë në një bashkëbisedim me qytetarët ku në fokus ishte siguria.

(e.f/BalkanWeb)