Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim mbi bazë dokumentesh ankimimin e ish-deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji, i cili kërkon shfuqizimin e vendimeve gjyqësore të dhëna për dënimin e tij.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çështja do të shqyrtohet në themel mbi aktet e depozituara, pa zhvillimin e seancës dëgjimore publike, në këtë fazë të procesit.
“Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimeve nr.00-2025-421, datë 11.03.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; nr. 2059/30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe nr.2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ervin Salianji u arrestua më 27 shtator 2024 një ditë pasi trupa gjykuese e gjykatës së Apelit me një votim unanim lanë më 26 shtator në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 18 dhjetorit 2019, e cila shpallte fajtor për “kallëzim të rremë” lidhur me për audio-përgjimin e dosjes “Babale”.
Në audio përgjim pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.
Ish deputeti demokrat u lirua nga qelia më 8 korrik 2024, pasi vuajti rreth 9 muaj burg.
Salianji ishte zgjedhur deputet në zgjedhjet parlamentare të viteve 2017 dhe 2021, duke përfaqësuar dy legjislatura radhazi në Kuvend. Me dënimin me 1 vit heqje lirie, Salianji humbi mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas ligjit të dekriminalizimit ai nuk mund të zgjidhet në funksione publike për të paktën 5 vite pas mbylljes së dënimit, pra deri në vitin 2030.