Kryetari i partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, nuk kanë kërkuar nga partia e tij, që të bëhet pjesë e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Nuk kemi marrë prej tyre një propozim, një kërkesë, një marrëveshje politike për të votuar ose presidenten ose qeverinë.

Ata nuk kanë kërkuar prej nesh një bashkëpunim. Vetvetiu ne nuk jemi pjesë e një marrëveshjeje politike për votimin e kandidates së Vetëvendosjes për presidente”, tha Haradinaj të mërkurën gjatë një konference për media.

Haradinaj tha se njoftimi që partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në votimin për presidentin, tregon se ka një marrëdhënie të re mes kësaj partie dhe VV-së.

Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit me Vjosa Osmanin për postin e presidentit. Osmani, një ish-zyrtare e lartë e LDK-së, në këto zgjedhje ishte personi më i votuar, përkatësisht ajo fitoi mbi 300 mijë vota.

Sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pro zgjedhjes së Osmanit në postin e presidentit janë deklaruar edhe komunitetet joshumicë, ndërkaq, partia më e madhe në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do ta votojë Osmanin, për shkak se e ka konsideruar si figurë “përçarëse”.