Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, është ankuar sërish në Shtetet e Bashkuara pasi siç tha ai, SHBA-ja po financon organizata që kundërshtojnë administratën e tij. Këtë herë ankesën ai e ka bërë përmes një letre drejtuar presidentit amerikan, Joe Biden.

 

Letra është dërguar me 2 maj dhe në të njejtën ditë, presidenti i Meksikës është takuar me një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë.

 

Ai e bëri një ankesë të ngjashme përmes një note diplomatike dy vjet më parë, pak para një takimi virtual me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris.

 

Në letër, Lopez Obrador thekson se Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar për disa kohë ka financuar “organizata që kundërshtojnë hapur qeverinë ligjore dhe legjitime”, një akt që ai e përshkroi si “ndërhyrës”.

 

“Jam i sigurt se ju nuk dini për këtë çështje dhe për këtë arsye kërkoj me respekt ndërhyrjen tuaj”, thuhet në letrën, të cilën López Obrador e lexoi në konferencën e tij të mëngjesit të së mërkurës.

 

Synimet e USAID-it për Meksikën fokusohen në reduktimin e “mosndëshkimit, krimit dhe dhunës duke kufizuar hapësirën operacionale për krimin e organizuar”, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.

Organizatat që Lopez Obrador i ka identifikuar si opozitë mes tjerash përfshijnë një organizatë ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, e cila ka qenë kritike për numrin e gazetarëve të vrarë në Meksikë.

 

Lopez Obrador u takua të martën me këshilltaren e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Liz Sherwood-Randall, për të diskutuar mbi koordinimin përpara përfundimit të kufizimeve të SHBA-së për azilin në kufirin e tyre të përbashkët./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re