Në numrin e fundit të sllovenes Delo, ofrohet një analizë të detajuar të aktualitetit në Kosovë, tensioneve që, siç thuhet, rrezikojnë të kthehen sërish në një konflikt serioz dhe se si e gjithë kjo mund të ndikojë në mbarë Ballkanin.

“Nëse Ballkani është një fuçi baruti, Kosova është një nga siguresat shumë të shkurtra në të”, theksohet në Delo.

Për Delo kanë folur analisti Albinot Maloku, një shqiptar “të cilën edhe serbët duan ta dëgjojnë”, si dhe Millosh Gariç, serb, i cili, siç theksohet, “i kërkohet mendim edhe nga shqiptarët e Kosovës”.

Maloku sheh si ndërlidhura atë që ndodh në Bosnjë me atë që ndodh në Kosovë, edhe nga fakti se dy vendet e pësuan më së shumti nga serbët në dy luftra gjakatare e mizore, si dhe për faktin se ndaj këtyre dy vende, Beogradi vijon një politikë të pandryshuar synimesh që nga koha e Millosheviçit.

“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, ka pasur disa përpjekje për të lidhur pozicionet e dy vendeve dhe këtu shohim vetëm një paralele, që është faktori destabilizues i Beogradit, i cili është i pranishëm në Bosnje dhe në Kosovë. Nëse flasim për stabilitetin politik dhe të sigurisë në Ballkan, të gjitha vendet ndikojnë reciprokisht në njëri-tjetrin. Bosnja dhe Kosova ende nuk kanë marrëdhënie, kryesisht për shkak të politikës së Beogradit zyrtar, por jo për shkak të mungesës së vullnetit të Sarajevës dhe Prishtinës për marrëdhënie të mira”, tha Maloku.

Nga ana tjetër, Gariç theksoi se “ne jetojmë në një zonë shumë të ndërthurur me shumë histori të përbashkët dhe lidhje të ndërsjellta”.

“Ne nuk mund të ikim nga njëri-tjetri dhe do të bënim mirë ta kuptonim këtë. Në çdo rast, paqëndrueshmëria në çdo pjesë shkakton pasoja të ngjashme në të gjithë hapësirën. Ngjarjet e fundit të luftës kanë lënë shumë pasoja dhe e keqja duket se ende po zien diku nën sipërfaqe. Këtu Kosova dhe Bosnja janë zonat më të ndjeshme. Më duket se disa ‘ndihmues; ndërkombëtarë nuk duket se janë për mbylljen e kësaj faqeje të shëmtuar dhe po bëjnë shumë që vazhdimisht të krijojnë kushte për destabilitet dhe praninë e tyre këtu”, tha Gariç.

Më tej, duke folur se sa të justifikuara janë frikërat nga ndikimi rus në rajon dhe se konflikti mund të përhapet edhe në Ballkan, Maloku thekson se “frika nga përhapja e ndikimit rus në Ballkan është padyshim gjithmonë e pranishme”.

“Rusia ka një kanal të hapur komunikimi me Serbinë. Kujtojmë se në shtator të këtij viti, ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Federatës Ruse nënshkruan një dokument(partneriteti). Publiku nuk ishte në dijeni të përmbajtjes së këtij dokumenti. Diplomacia serbe propozoi nënshkrimin, gjë që është shqetësuese. Është gjithashtu shqetësuese që BE-ja nuk i kërkon Serbisë të deklarojë qëndrimin e saj për veprimet e Moskës në Ukrainë, për krimet në Bucha dhe vende të tjera të kryera nga forcat ruse. Veprime siç i kemi parë dhe përjetuar në Kosovë gjatë luftës”, arsyeton Maloku.

Gariç, nga ana tjetër, arriti në përfundimin se lufta në Ukrainë shkaktoi ndryshime tektonike në të gjithë planetin.

“Ballkani është sigurisht shumë afër dhe shumë i ekspozuar ndaj ndikimit të keq. Aq sa nuk arritëm të mësojmë nga ajo që kaluam të gjithë, aq shumë rrezik na kanoset. Por kam frikë se ne që jetojmë këtu nuk e pyesim veten shumë. Fatin tonë e përcaktojnë të mëdhenjtë që rregullisht i lajnë hesapet në Ballkan dhe kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Na takon neve që të mos pranojmë të marrim pjesë në llogaritjen e tyre”, përfundon Gariç.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re