Antarktida po dërgon një “sinjal shqetësimi”, ndërsa ajsbergu më i madh në botë shkëputet, duke kërcënuar edhe Australinë.

Në fund të vitit të kaluar, ajsbergu A23a, i njohur edhe si megaberg, filloi të shkëputej dhe të lëvizte në mënyrë të pakontrollueshme. Kjo masë kolosale, që peshon gati një trilion ton, është dyfishi i madhësisë së Londrës, duke shkaktuar shqetësim serioz në komunitetin shkencor ndërkombëtar.

Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Uellsit të Ri Jugor dhe Universiteti Kombëtar Australian, Shtresa e Akullit të Antarktidës Perëndimore (WAIS) është në një fazë kritike. Studiuesit paralajmërojnë se shkrirja e saj mund të rrisë nivelin e detit deri në tre metra, me pasoja që do të ndihen në të gjithë botën.

Autorja kryesore, Dr. Nerili Abram, tha: “Ndryshimet në akullin, oqeanet dhe ekosistemet e Antarktidës janë zbuluar tashmë dhe këto do të përkeqësohen me çdo pjesë të shkallës së ngrohjes globale.

Rrezik i madh për Australinë

Profesori Matthew England i UNSW tha se Australia do të jetë ndër vendet më të goditura. Rritja e niveleve të detit kërcënon qytetet dhe komunitetet bregdetare, ndërsa rritja e temperaturave dhe pakësimi i oksigjenit në Oqeanin Jugor mund të shkaktojë ngrohje edhe më intensive në rajon.

Humbja e akullit detar po ndryshon rrënjësisht ekuilibrin e nxehtësisë së planetit, duke çuar në ngrohje edhe më të shpejtë. Nëse nuk merren masa të menjëhershme për të ulur emetimet e gazrave serrë, shkencëtarët paralajmërojnë se shembja e disa pjesëve të akullnajës do të jetë e pashmangshme dhe e pakthyeshme.

“E vetmja mënyrë për të shmangur ndryshimet e menjëhershme është të zvogëlohen në mënyrë drastike emetimet dhe të mbahet ngrohja sa më afër 1.5°C të jetë e mundur”, theksoi Dr. Abrams.

Një garë me kohën

Ndërsa qeveritë takohen çdo vit për samite ndërkombëtare për ndryshimet klimatike, ekspertët thonë se veprimet e ndërmarra mbeten të pamjaftueshme. Antarktida tani po dërgon “sinjalin më të fortë të rrezikut” dhe vendimet në vitet e ardhshme do të përcaktojnë të ardhmen jo vetëm të Australisë, por të të gjithë planetit.

Përshtati në Shqip S

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re