Pikërisht në një kohë me vendimin e Gjykatës së Kasacionit(Gjykata e Lartë) të Italisë e cila sekuestroi 49 milionë euro të Lega-s, që sipas gjykatës janë përfituar nga korrupsioni, Matteo Salvini, kryetar i saj dhe ministër i Brendshëm i Italisë, doli para kamerave duke notuar në një pishinë të një vile, e cila i është sekuestruar një bosi mafioz të Cosa Nostra-s.

Duke përfituar nga detyra, Salvini i shpalli luftë mafias, duke përdorur tone të forta.

Por dukshëm, retorika e tij kishte dy qëllime: të zbuste zhurmën e vendimit të Kasacionit, por edhe t’i përgjigjet akuzave mjaft të forta të shkrimtarit Roberto Saviano, i cili prej dy vitesh e ka sfiduar liderin populist të Lega-s, duke i sjellë fakte të lidhjes së grupeve mafioze të N’dragheta-s kalabreze me sektorë të këtij formacioni politik në veri.

Pak e dinë, por Matteo Salvini është zgjedhur deputet në rajonin e Kalabrisë, pikërisht në qendrën e mafias më të rrezikshme italiane, e cila prej vitesh drejton trafikun e kokainës në Europë.

Saviano ka deklaruar se Salvini në mitingjet e tij në Kalabri, jo vetëm nuk foli as një fjalë kundër N’dragheta-s, por në tubimin e parë të tij ishin në vend-nderi pjesëtarë të familjeve mafioze më të famshme të rajonit.

Pas zgjedhjeve, Salvini, kërcënoi Roberto Savianon se do t’i heqë ekskortën që sipas tij i harxhon shumë para buxhetit të shtetit.

Kjo retorikë pati kundërpërgjigjen e fortë të shkrimtarit, i cili u shpreh se “eskorta nuk më bën më të lirë, por ajo është vendosur nga organe kompetente pikërisht se e kanë vlerësuar të tillë, pasi jam kërcënuar me vdekje nga eksponentë të Camorra-s napoletane. Unë sot po kërcënohem me heqje eskorte vetëm sepse shprehem me kritika ndaj Salvinit, e kjo nuk është gjë tjetër veçse hakmarrje”.

Pra shkurt, retorika e djeshme e Matteo Salvinit ndaj mafias, nuk ishte gjë tjetër veçse propagandë. Kemi të drejtë ta themi këtë pasi do të duhet kohë për të parë nëse fjalët ministri i Brendshëm Italian do t’i kthejë në vepra.

Qeveria e re italiane realisht nuk e ka nisur me këmbën e duhur çështjen e luftës ndaj mafia-s.

Kryeministri Giusepe Conte, në fjalimin inagurues në Parlament, shkaktoi polemika pasi harroi të përmendte vëllanë e Presidentit të Italisë, Piersanti Matarella, i cili ka qenë viktima e parë politike e mafias.

Kështu që deklarata e djeshme e Lulzim Bashës, ku e priste Salvinin me padurim për të luftuar “narkoshtetin” në Shqipëri, ishte e pakta të thuhet ekzagjerim.

Shteti italian jo vetëm që e ka luftuar fort mafian shqiptare, por rastin “Habilaj”, i cili penalizoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, e hapi pikërisht qeveria e majtë që drejtohej nga Polo Gentilioni.

Madje duhet thënë se mafia është luftuar më fort në Itali nga qeveritë teknike dhe që nuk kanë pasur një termin politik.

Kjo shumë e thjeshtë, pasi politika përdor politikisht për qëllime elektorale ushtrinë e madhe që mafia kanë në terren; duke nisur nga familjet e pasura, bankierët, noterët, mjekët, bizneset e fasonerisë dhe pronarët e mëdhenj të tokave që kontrollojnë agroturizmin.

Mafiet në Itali, por edhe kudo nuk janë thjesht në trafiqe por në financimin e investimeve të mëdha.

Ju kujtohet Baroni Giovani Linori tek Oktapodi? Edhe pse nuk ishte një anëtar i Cosa Nostra-s, ishte tregtari më i madh i heroinës së bashku me Espinosa-n, njeriun që pastronte paratë dhe paguante politikanët.

Ky imazh është metafora më tipike se cili është roli i mafia-s, e cila nuk zhduket kollaj e as mund të luftohet me një deklaratë të politikanëve. Aq më pak të Matteo Salvinit.

Dy njerëz që e kuptuan si luftohet mafia, duke iu ndjekur dhe penguar paratë dhe logjistikën e duke bërë ligje për të mbyllur në birucë bosët e rreshterët, Giovani Falcone e Paolo Borselino u vranë në mënyrë më makabre të mundshme. Nën hundën e shtetit. Nga ana tjetër, elozhet e Bashës ndaj Salvinit, ngjajnë dhe si një përpëlitje e tij për aleatë në Europë. PD-ja e tij dhe ai vetë, pos tjerash është dhe në një krizë faktorizmi ndërkombëtar  

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re