Qeveria spanjolle ka ngritur një organ “për të luftuar dezinformimin”, i cili ka hasur në rezistencë nga shoqatat e gazetarëve dhe opozita e krahut të djathtë, e cila pretendon se kryeministri Pedro Sanchez synon të heshtë media kritike dhe kundërshtarët politikë.

Organi, i quajtur Komisioni i Përhershëm kundër Dezinformimit, përbëhet nga anëtarë të ministrive të ndryshme të cilët do të “monitorojnë dhe mbikëqyrin” dhe “paralajmërojnë për fushata të mundshme të dezinformimit”.

“Liria e shprehjes dhe e drejta për informacion mbrohen nga Kushtetuta jonë si të drejta themelore. Sidoqoftë, proceset demokratike kërcënohen gjithnjë e më shumë nga përhapja e qëllimshme e dezinformimit, si masivisht ashtu edhe sistematikisht”, thuhet në dokumentin zyrtar.

Federata Spanjolle e Shoqatave të Gazetarëve (FAPE) i ka bërë thirrje qeverisë të shpjegojë se cilat funksione do të ketë ky organ për të mbikëqyrur botimin e informacionit dhe si do të zhvillojë “luftën kundër dezinformimit”.

Metoda e kontrollit të përmbajtjes dhe sanksionet e parashikuara nuk janë specifikuar në dokument.

“Ne jemi vërtet të brengosur për pasojat e mundshme për punën e pavarur të gazetarisë, pasi shumë aspekte të rëndësishme mbeten në ajër në këtë dokument,” tha FAPE.

Shoqata e Mediave në Madrid (APM) pretendon se “mbrojtja e demokracisë nga lajmet e rreme mund të përdoret për të censuruar dhe heshtur kritikët e qeverisë”.

“Lajmet e rreme janë padyshim një problem për demokracitë sot, por liria e shprehjes nuk duhet të flijohet për të luftuar lajmet e rreme,” vë në dukje APM.

Nga ana tjetër, FAPE thotë se ekziston tashmë një ligj mbi sanksionimin e lajmeve të rreme.

“Nëse një media apo gazetar nuk respekton ligjin, gjykatat janë atje për t’i ndëshkuar ata,” thekson FAPE.

Kujtojmë se diçka e ngjashme ndodh prej kohësh në Shqipëri, pasi qeveria vendosi të hartojë ligjin “antishpifje”. Ky ligj ka hasur kritika të shumta dhe ende nuk ka kaluar në parlament, por Rama këmbëngul ta kalojë dhe ta fusë në veprim për “t’i mbajtur dorën” atyre që sipas tij shpifin dhe akuzojnë pa prova në media.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re