Abdi Baleta

Tani vërejmë fare mirë se është përsëri acari rus që vërshon drejt Ballkanit si në kohën e luftrave kundër Perandorisë Osmane që të ngrijë edhe një herë zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të çështjes kombëtare shqiptare në tërësi. Këtë ka bërë Rusia Cariste në kohën kur ishin krijuar Pashallëqet e Mëdha shqiptare dhe shqiptarët ishin më afër krijimit të shtetit të tyre, para shteteve serbe e greke në Ballkan.

Këtë ngrirje solli Rusia për çështjen shqiptare edhe në kohën e “Kongresit të Berlinit”, kur duhej njohur kombi shqiptar në Europë dhe duheshin bashkuar në një të katër vilajetet shqiptare, në rrethanat e dobësimit të Perandorisë Osmane. Të njëjtën gjë bëri Rusia kur duhej njohur shteti i pavarur kombëtar shqiptar në vitet 1912- 13, kur duhej zbatuar parimi i vetëvendosjes së popujve edhe për shqiptarët në Ballkan pas LDB. Të njëjtën gjë kërkon të bëjë edhe së fundmi, në kohën kur duhet njohur pavarësia e shtetit sovran shqiptar të Kosovës. Më 9, 10 dhe 11 Janar 2008 në gazetën “Republika” është botuar studimi i Pr. Eshref Ymerit mbi politikat e veprimtarinë e tërbuar armiqsore shumëshekullore të armikes së betuar të shqiptarëve, Rusisë. Analiza që bëhet në këtë studim i jep lexuesit e opinionit publik shqiptar(madje dhe politikanëve e intelektualëve që dëshirojnë) një udhërrëfyes publicistik për të kuptuar edhe më mirë materialin e gjërë faktik që përmban libri i Shaqir Vukajt “Kosova dhe Rusia”. Kurse shkrime si ai i Engjël Koliqit, ai i Gjetë Kolës dhe i disa të tjerëve janë në frymë e kahje krejt të kundërt, shkojnë në vazhdën e rrymës që njihet prej kohësh si serbo-rusofile.

Këta shkrime duken të ndikuar nga demagogjia e Beogradit dhe e Moskës, posaçërisht nga intervista e ambasadorit të Rusisë në Tiranë, zotëri Prishepovit, botuar në gazetën “Shqip” më 23 Dhjetor 2006, në të cilën jepej si verdikt i prerë se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër për Kosovën veç asaj që do të pëlqejë edhe Beogradi dhe çështja e Kosovës nuk duhet lidhur me marrëdhëniet e Rusisë e të Shqipërisë, pasi këto marrëdhënie duhet të vështrohen vetëm në prizmin e “miqësisë së popujve”.

Nuk ka si të mos bjerë në sy për keq kur dhe autorë shumë të pranishëm në botimet e në publicistikën shqiptare, me studime e shkrime që shpesh kanë mjaft peshë, si Pr. Hulusi Hako, që shpalos dhe mendime për patriotizmin që duhet të kenë shqiptarët, pikërisht në këtë kohë e gjen me vend të derdhë nostalgjitë e tij për kohën e shkuar si student në Rusi, madje të kapërcejë masën duke shpërfaqur e reklamuar me krenari rusofilinë e tij. Në pjesën e serialit nostalgjik “Ditari i Moskës” (të cilën autori e përmend dhe me termat “Moska ime”) të botuar më 13 Dhjetor 2007 në “Telegraf” autori ka shkruan: “U mbushën plot 50 vjet që kur jam ndarë nga Moska! Nostalgjia veçse është shtuar… kujtimet e atyre viteve nuk janë thjesht një moment përjetimesh turistike… por u bënë vizioni më dimensional për të qenë i dobishëm për Atdheun tim”. Nuk do t’i jepja vetes të drejtën të shprehesha për këto ndjesi të autorit, po të mbeteshin ato thjesht vetanake të Antiturqizmi, Te tij, edhe pse unë si ish-student në Rusi, në Moskë, në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare ( Diplomacisë) nuk kam përjetuar kurrë ndjesi të ngjashme dhe nuk kam asnjë nostalgji për ato dy vitet që kalova atje midis rusëve, ndonëse kam kujtime të mira nga shkolla, nga bashkëstudentët. Por autori i “Ditarit të Moskës” ka shkuar më tej, ka hyrë në terren me interes publik, ku na takon të gjithëve të ngulim belin e lopatën për të shkulur barërat e këqija dhe për të kultivuar bimësi shqiptare; ka hyrë në terrenin e vlerësimit politiko-diplomatik të marrëdhënieve shqiptaro-ruse, madje me një qasje që përputhet shumë me intervistën e para një viti të ambasadorit rus në Tiranë.

Unë kam reaguar ndaj asaj interviste të ambasadorit rus nëpërmjet një “kartoline të hapur” për vitin e ri, sepse dhe intervista ishte si një mesazh drejtuar shqiptarëve në vigjilje të vitit të ri 2007. Shkrimi “S novim godom-gëzuar vitin e ri” është botuar në “Rimëkëmbja” më 26 Dhjetor 2006. Në mënyrë të veçantë theksoja së është e natyrshme dhe e domosdoshme për shqiptarët (pavarësisht si mendojnë e veprojnë pushtetarët e tyre) që në vartësi të qëndrimit të Rusisë për çështjen e Kosovës shqiptarët të ndërtojnë marrëdhënieve ruso-shqiptare. Këto marrëdhënie duhen parë siç janë në realitet, si marrëdhënie midis shteteve e qeverive dhe jo sipas tezës së rreme demagogjike sovjeto-komuniste për “miqësinë e popujve”, që na e kishin trumbetuar deri në mërzi në vitet e shkollimit në Moskë dhe që në fakt asnjëherë nuk ka gjetur zbatim konkret për shqiptarët, kur bënin miqësira të mëdha me jugosllavët, rusët, kinezët, apo kur themi të njëjtën gjë me grekët tani. Mund të themi se vetëm marrëdhëniet me Turqinë kanë në bazë të tyre edhe miqësi popujsh. Por disa janë të prirur t’i trajtojnë si armiqësore pikërisht këto marrëdhënie.

Prof. Hako ka shkruar: “Kanë hyrë në pasurinë time edhe rusofonia edhe rusofilia”. Kuptohet se rusofonia ka hyrë në pasurinë e të gjithë shqiptarëve që kanë studiuar në Rusi, apo që mësuan gjuhën ruse në Shqipëri. Kurse me rusofilinë puna qëndron krejt ndryshe. Ajo nuk duhet të hyjë tek asnjë shqiptar, qoftë dhe tek ata që kanë studiuar në Rusi dhe nuk nxjerrin dot nga vetja nostalgjitë për atë vend. Rusofonia dhe rusofilia janë e duhen trajtuar si dy gjëra të ndryshme.

Rusofonia është thjesht fakt jete. Rusofilia është ndjesi, madje politikë e mirëfilltë e vetëdijshme. “Filitë politike” kanë implikime politike për individin dhe shoqërinë e vendin që i përket individi. Këtë e di dhe profesori që ka shkruar “Ditarin e Moskës” me nostalgji, sepse është munduar që ta përligjë rusofilinë e tij me një argument të shpëlarë fund e krye demagogjik : “Se Putinët venë e shkojnë, pavarësinë e Kosovës shqiptarët do ta gëzojnë, por dashurinë e veçantë të popullit rus për ne, edhe ndihmesat as i harrojmë , as i ngatërrojmë me putinarinë e llavrovshmërinë! Se tek logjika e hekurt e jetës, drejtësia dhe dashuria e popujve dhe e njerëzve të thjeshtë në fund të fundit do të thyejnë turinjt gjithë politikat e vogla dashakeqe në qoftë se njerëzimi do të hyjë vërtetë në erën e demokracisë”.

Ndaj mendimeve të tilla nuk mund të qëndroja pa reaguar për dy arsye: 1-Për arsyen e përmendur më lart se jam bërë palë, qysh në Dhjetor të vitit 2006, në debatin se a mund dhe a duhet të vështrohen marrëdhëniet shqiptaro-ruse sëpari e kryesisht nga këndvështrimi i “miqësisë së popujve”

2- Për arsyen parimore e politike se nuk pajtohem dot me prirjet që midis shqiptarëve të kultivohet rusofili në kohën kur Rusia dhe rusët po bëjnë një veprimtari tejet armiqësore ndaj shqiptarëve ( siç e kanë vërtetuar kohët fundit edhe Shaqir Vukaj me libër prej qindra faqesh dhe Eshref Ymeri më një shkrim të kondensuar publicistik).

Mund të shtoj dhe një shkas të tretë për këtë reagim: zotëri Hako si Kryetar i Shoqatës Atdhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar ka marrë fjalën përshëndetëse dhe ka përgëzuar “manifestimin madhështor… Vlora Heroike valëvit flamurin e Pavarësisë së Kosovës”, ku ndër të tjera,(sipas gazetës “Ndryshe” të datës 13 Dhjetor 2007) ka thënë: “Ka ardhur koha të rimarrim atë që na përket, zemrën e shpirtin tonë Kosovën, sepse ndryshe trupi nuk ka jetë. Europa është e jona dhe ne jemi Europa”. Kjo është thënie e bukur. Por nuk kemi si të mos vëmë re një kontradiktë të madhe ideore dhe politike. Rusia, jo vetëm politikanët , por edhe opinioni publik rus janë kundër bashkimit të shqiptarëve. Kurse zotëri Hako pretendon se identiteti shqiptar dhe bashkimi kombëtar shqiptar mund t’u bëkan duke kultivuar, ushqyer e reklamuar rusofilinë midis shqiptarëve.
Kjo nuk shkon, ose njëra, ose tjetra. Rusofilia nuk të ndihmon të ruash identitetin e të bësh bashkimin kombëtar shqiptar, por të tërheq drejt një qëndrimi kobtar për këtë identitet e këtë bashkim. Kush të dojë le ta besojë, kush të dojë të mos besojë, por unë kam bindjen se faktet që i kemi ditur dhe ato që kanë renditur tani vonë Vukaj dhe Ymeri këtë na mësojnë. Ai arsyetimi se Putinët e Llavrovët vinë e shkojnë që e ka bërë Hako si argumentin kryesor për të besuar tek miqësia e popujve shqiptaro-ruse nuk pi ujë fare, sepse kjo miqësi nuk ka ekzistuar ndonjë herë dhe as që mund të krijohet përderisa gjithë sunduesit, politikanët, qeveritarët, intelektualët e Rusisë në opinionin publik, tek njerëzit e thjeshtë rusë, kanë përçuar e përçojnë vetëm shovinizëm, përbuzje, mllefe e urrejtje për shqiptarët. Është e vërtetë se Jelcinët, Putinët, Ivanovët, Llavrovët, Medvedievët do të shkojnë e të vinë në Rusi, siç kanë ardhur e kanë shkuar në shekuj carë, bojarë, gjeneralë, admiralë, hierarkë komunistë.

Por këtu qëndron dhe keqja më e madhe se gjithmonë, të paktën gjatë 3 shekujve të fundit, në drejtimin e Rusisë e të rusve kanë ardhur pa anjë përjashtim komandues e drejtues që ndaj shqiptarëve kanë treguar vetëm armiqësi. Kështu ka ndodhur edhe kur Carë të Rusisë ishin burra, edhe kur ishin gra; edhe kur në krye të Rusisë ishte një careshë gjermane (Jekaterina II) edhe kur padron i Kremlinit bëhej një gjeorgjian (Josif Stalini); edhe kur ministri i jashtëm quhej Sazonov, Litvinov, Molotov edhe kur quhej Shevarnaxe (gjeorgjian); edhe kur poste të tjera me rëndësi i mbanin rusë, edhe kur titullarët e ndihmësit kryesorë ishin çifutë, armenë, gjeorgjianë, polakë, balltikas, dikur më herët dhe ndonjë arvanitas nga Greqia (Kapodistria). Ajo “miqësia e popujve” që do të frymëzoka një ditë rusët ndaj shqiptarëve do të vijë për “Bajramin rus” (kalendat greke) që e përmend Eshref Ymeri dhe që vetë Hulusi Hako e ka bërë me një ekuivalent kushtëzues shqiptar “në qoftë se njerëzimi do të hyjë në rrugën e demokracisë”. Kurse populli e ka thënë me kohë më thjeshtë “prit gomar të mbijë bar”, që duhet kuptuar në këtë rast “prit shqiptar sa të ngrenë rusët kopshtin e miqësisë për ty”.

Po ç’e do se rusët vazhdojnë të edukohen më shumë me Tolstoin, i cilingushëllimin e heroit të tij të dhëmbshur, Vronskit (në romanin Ana Karenina), e ka lidhur me nisjen e tij “heroike” për të ndihmuar serbët në luftën kundër osmanëve.
Shumë rusë në vitin 1999, siç dëshmon Shaqir Vukaj, ndiqnin shembullin e Vronskit, regjistroheshin vullnetarë për të masakruar bashkë me serbët shqiptarët në Kosovë. Është mirë që “Vlora heroike e ka valëvitur flamurin e pavarësisë së Kosvës” në dhjetor 2007, se kështu bëhet një hap për të shlyer kujtimet e këqija që na kanë mbetur nga tundja e tre gishtave serbçe në Sheshin e Flamurit në Vlorë në pranverën e vitit 1997, kur serbët kishin nisur valën e madhe të gjenocidit në Kosovën.
Do të bënin mirë edhe nostalgjikët për Rusinë që ta flaknin rusofilinë dhe të mbeteshin tek shqiptarizmi. Do të bënin mirë t’u largoheshin marrëzisë ata shqiptarë që pa pushim mallkojnë e fajsojnë Perandorinë Osmane për gjithë vështirësitë që provojnë shqiptarët brenda trojeve e shoqërive të tyre dhe në marrëdhëiet ndërkombëtare edhe 100 vjet pas shpërbërjes së saj. Me (a) logjikën e tyre të çuditëshme njerëz të tillë ka të ngjarë të fajsojnë ndonjë ditë Sulltanin edhe për aksidentet e rëndë që ndodhin në furrnaltat e shfrytëzuara nga kompania turke “Kurum” në kombinatin metalurgjik kinezo-shqiptar në Elbasan.

Antiturqizmi sado të mbështetet me propagandë nuk maskon dot armiqësinë serbo-ruse ndaj shqiptarëve, as e përligj rusofilinë e serbofilinë midis shqiptarëve. Cilatdo të kenë qenë marrëdhëniet shqiptaro-osmane në kohën e Perandorisë 600-vjeçare të Sulltanëve, Turqia e re, që nisi jetën si shtet kombëtar në vitet 1920, doli si mike e madhe e shqiptarëve dhe e Shqipërisë. Duan apo nuk duan disa shqiptarë të trullosur nga antiosmanizmi e antimyslimanizmi, Turqia e re dhe kombi i sotëm turk e kanë dëshmuar veten si miqtë më të sinqertë të shqiptarëve gjatë gjithë kohës. Edhe sot Turqia është i vetmi vend që dyert i saj i mban të hapura me dashamiërsi për shqiptarët, i vetmi vend ku po të thuash se je shqiptar (arnaut) rrethohesh menjëherë me kujdes e dashuri, i vetmi shtet që nuk mendon si të izolojë shqiptarët e zakonshëm në botë. Dhe pikërisht me këtë vend duan t’i armiqësojnë shqiptarët njerëzit që u japin “këshilla Djalli” në shkrime si ai mbi “borxhet historike të Turqisë ndaj Kosovës”. Pikërisht këtij shteti e kombi i dërgojnë herë pas here mesazhe provokuese disa shqiptarë që duan të njollosin në sytë e turqëve gjithë shqiptarët e tjerë si “mosmirënjohës” ndaj mikut, që të kënaqen hasmit e shqiptarëve

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re