Deklarata e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se po interesohen nga shumë afër për të blerë mjete ajrore pa pilot nga Turqia, shkaktoi jehonë të madhe në mediat e Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Anton Quni, i cili në fund të muajit shtator realizoi një vizitë në Turqi me ftesë të ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, bëri deklarata të rëndësishme rreth kësaj çështjeje gjatë një emisioni televiziv në vendin e tij.

I pyetur mbi pretendimet se Turqia po e pajis Serbinë me një teknologji ushtarake mjaft të avancuar, ministri Quni u përgjigj duke thënë se nuk pajtohet me deklaratat kinse Turqia ka më shumë afërsi me Serbinë sesa me Kosovën.

“Në Turqi ekzistojnë disa kompani që kanë subvencione nga qeveria dhe ato drejtohen nga politikat e qeverisë turke. Këto kompani private kanë të drejtën t’u ofrojnë shërbime edhe shteteve të tjera, në këtë rast Serbisë”, shtoi ai.

Quni gjithashtu theksoi se edhe Kosova mund t’i zotërojë këto armë të sofistikuara nëse arrin të ketë një ekonomi të zhvilluar mjaftueshëm.

“Unë i kam vizituar këto kompani dhe them se këto armë mund t’i zotërojë kushdo që ka ekonominë më të zhvilluar për t’i përballuar”, sqaroi shefi i mbrojtjes së Kosovës.

Rikujtojmë se gjatë qëndrimit disaditor në Turqi, ministri Quni vizitoi mes të tjerash Kompaninë Turke të Industrisë Ajrore dhe Hapësinore (TUSAŞ/TAI) dhe Kompleksin e Kërkim-Zhvillimit dhe Prodhimit të Dronëve Kombëtarë të kompanisë “Baykar”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re