Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, të mërkuirën ishtë në Prishtinë në kuadër të turit të tij në Ballkanin Perëndimor, vetëm pak ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Gjatë vizitës në Kosovë, Costa u takua me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si edhe me përfaqësues të partive opozitare.
Në qendër të diskutimeve ishte perspektiva evropiane e Kosovës dhe përshpejtimi i reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Pas takimeve, Costa riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën, duke theksuar se integrimi evropian duhet të mbetet prioritet për të gjitha forcat politike. Ai nënvizoi se vendi ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reformat dhe për të përmbushur angazhimet ndërkombëtare.
Vizita e tij vjen në një moment të rëndësishëm politik për Kosovën, ndërsa në Parlamentin Evropian pritet të shqyrtohet raporti për Kosovën, ku shprehet mbështetje për rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe shqetësim për vonesat në proceset reformuese.
Pas Prishtinës, Costa do të vijojë turin në Beograd dhe më pas në Mal të Zi, ku do të bashkëdrejtojë samitin e nivelit të lartë mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.


