Kreu i Grupit Parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, ka komentuar vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë, si dhe takimet e tij me përfaqësuesit e drejtësisë.

Bardhi është shprehur se takimin e Blinken me përfaqësuesit e drejtësisë, e sheh si një inkurajim për to, për të çuar më tej Reformën në drejtësi.

 “E shoh si inkurajim për institucionet e drejtësisë për të çuar para Reformën në drejtësi. Nxitje për të zbatuar ligjin e për të vijuar me punë korrekte. Ne nuk kemi betejë me institucionet e drejtësisë, duhet t’i nxisim të zbatojnë ligjin. Ka raste kur devijojnë nga ligji apo gabojnë por kjo duhet parë rast pas rasti”, tha Bardhi, në studion e News24.

Ndër të tjera ai theksoi se kjo “është një vizitë e mirëpritur që konfirmon partneritetin dhe miqësinë e veçantë me SHBA. Roli i SHBA për faktorin shqiptar në rajon, i rëndësishëm”.

Sa i përket bashkëpunimit me Berishën, në një kohë që ish-kryeministri është “non grata” në SHBA, Bardhi tha se brenda PD ka diversitet mendimi ndërsa shtoi se nuk ka sulm ndaj SHBA.

 “Nuk ka sulm ndaj SHBA. Dihet problemi i tij me SHBA por nuk ka sulm apo atakim ndaj SHBA. Vijojnë të mbeten partnerët tanë strategjikë. Jemi bashkuar në diversitet dhe askush nuk i imponon mendimin askujt.

Kjo është një vlerë e shtuar në parti. Në PD mund të ndajmë mendime të ndryshme por gjërat që na bashkojnë janë më shumë se ato që na ndajnë”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re