Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka mbërritur sot në Kiev në një vizitë të paparalajmëruar, ku do të takohet me presidentin Volodymir Zelenski.

Departamenti i shtetit nuk kishte bërë asnjë njoftim zyrtar në lidhje me vizitën, ndërsa lajmin e konfirmuan mediat ukrainase.

Nuk dihen ende se ku do të përqendrohen diskutimet mes Zelenskit dhe Blinken, por takimi i papritur zhvillohet vetëm disa ditë, pasi presidenti ukrainas shkarkoi ministrin e Mbrojtjes dhe disa zyrtarë të tjerë pas shqetësimeve për përfshirje në korrupsion, ndërkohë që lufta vazhdon.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar u takua me tre zyrtarë të lartë ukrainas për të diskutuar lidhur me përpjekjet për të parandaluar korrupsionin. Blinken pritet gjithashtu të njoftojë një paketë të re ndihme nga SHBA me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë.

Disa orë para mbërritjes së Blinken, Rusia sulmoi sërish kryeqytetin ukrainas me raketa. Kreu i administratës ushtarake të Kievit tha se mbrojtja ajrore rrëzoi raketat dhe nuk pati viktima apo dëme në qytet.

Por ndryshe nga Kievi, në jugperëndim të Odesës një person mbeti i vdekur gjatë natës për shkak të sulmeve ruse. Raketat e dërguara nga Moska shënjestruan një port në lumin Danub.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re