Në një pronocim për Vizion Plus, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu shprehet se janë qytetarët e dy vendeve që humbasin më së shumti nga anulimi i njëanshëm i takimit që do të mbahej nesër në Gjakovë mes qeverisë Kurti dhe Rama.

 

Kryeziu thekson se takimet bilaterale, me fokus problemet e brendshme të Kosovës, mund të zhvilloheshin dhe në një ditë tjetër.

 

Kjo sipas Kryeziut shënon dhe herën e parë të anulimit të një takimi ndërqeveritar në mënyrë të njëanshme, ndërsa shton se për mbledhjen e së nesërmes ministrat ishin përgatitur për marrëveshjet që do të firmoseshin.

 

 Reagimi i plotë:

 

Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë.

 

Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato.

 

Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re