Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka vendosur të marrë masa prej koronavirusit. Përmes një postimi në “Facebook”, KMSH njoftoi anulimin e faljes së namazit të xhumasë.

 

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kërkon nga myftinitë e qyteteve marrjen e masave të mëposhtme:

 

1- Ngarkohen të gjithë myftinjtë dhe stafi i tyre të ndërmarrë fushata sensibilizuese për publikun dhe të inkurajojnë të gjithë besimtarët, kryesisht moshën e tretë dhe personat me sëmundje kronike që t’i kryejnë ritualet fetare në banesat e tyre.

 

2- Anullimi i tubimeve masive si ligjërata, kurse në xhami, aktivitete të ndryshme dhe sipas rrezikshmërisë në zonën tuaj të anullohet edhe falja e namazit të xhumasë.

 

3- Pesë kohët e namazit sugjerohet të falen në mënyrë jo të organizuar, ndërkohë ezani të thirret në mënyrë të rregullt në të gjitha xhamitë.”

 

Sipas KMSH, prioritare duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe shëndetit. Reagimin Komuniteti Mysliman Shqiptar e mbylli me një lutje për Zotin.

 

“Pasi të marrim të gjitha masat e nevojshme, t’i lutemi Zotit me lutjen e Profetit Muhamed (a.s.): “O Zot më ruaj nga lebroza, nga çmenduria, nga murtaja, nga epidemia dhe nga të gjitha sëmundjet e këqija.” Lusim Zotin e Gjithmëshirshëm që kjo situatë të kalojë pa pasoja për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re