Dështon për herë të dytë konkursi për drejtor të përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se konkursi është anuluar javën e kaluar në mungesë të kandidatëve për këtë pozitë. Në anën tjetër, kandidatët thonë se nuk janë njoftuar për këtë gjë.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka marrë vendim që konkursi për drejtor të përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore të anulohet dhe të bëhet rihapja e konkursit.

Këtë vendim ministri Yagcilar e ka marrë javën e kaluar në mungesë të kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret për këtë pozitë. Lajmin për anulimin e konkursit për drejtor të Institutit të Mjekësisë Ligjore e ka bërë të ditur vetë ministri Yagcilar.

Sipas tij, nuk ka kandidatë të mjaftueshëm për këtë pozitë dhe për këtë do të ketë ripërtëritje të konkursit.

“Janë vetëm dy kandidatë që i plotësojnë kriteret për këtë pozitë. Duhet së paku pesë kandidatë të jenë në fillim, në fund mund të procedohen tre ose dy kandidatë, por për të filluar procedurat e në njëfarë mënyre të bëhet gara për t’i zgjedhur tre së paku duhet të jenë pesë kandidat që i plotësojnë kriteret”, ka thënë ministri Yagcilar.

Derisa nuk ka kandidatë të mjaftueshëm për këtë pozitë, sipas tij, nuk mund të vazhdohet më tutje.

.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re