Ndeshja Milan–Como nuk do të zhvillohet në Australi, pavarësisht marrëveshjes së arritur pak ditë më parë.
Lega Serie A ka bërë një hap pas, duke zyrtarizuar anulimin e projektit. Vendimi erdhi për shkak të rreziqeve financiare që nuk mund të menaxhoheshin, kushteve të rënda të miratimit dhe komplikimeve të minutave të fundit.
Edhe pse më herët ishte pranuar të respektoheshin kërkesat e Konfederatës Aziatike të Futbollit për aspektet sportive, situata ka ndryshuar. Sipas komunikatës zyrtare, kushtet shtesë të vendosura nga AFC ishin të papërballueshme nga ana financiare.
Projekti ishte miratuar nga të 20 klubet e Serie A, FIGC dhe UEFA. Qeveria e Australisë Perëndimore dhe Lega Serie A kanë konfirmuar se nuk është kryer asnjë pagesë dhe nuk ka humbje ekonomike. Megjithatë, mbetet e paqartë se ku dhe kur do të luhet ndeshja.
“San Siro” nuk do të jetë i disponueshëm më 8 shkurt, për shkak të inaugurimit të Lojërave Olimpike Milano–Cortina. Autoritetet australiane theksuan se projekti u ndërpre për të shmangur rreziqe të papranueshme.
Ndërkohë, Lega Serie A e cilësoi anulimin si një mundësi të humbur për rritjen ndërkombëtare të futbollit italian.