“Fatkeqësisht, vizita e Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Mal të Zi do të duhet të shtyhet për një datë tjetër sepse për shkak të kushteve atmosferike avioni i delegacionit nuk mund të ngrihet nga aeroporti i Beogradit. Vizita do të organizohet në një datë të re për të cilën do të bihet dakord reciprokisht”, raportojnë mediat malazeze në njoftimin për shtyp nga Qendra Informative e BE-së.

“Fatkeqësisht, për shkak të motit të keq, m’u desh ta shtyja vizitën time në Malin e Zi këtë mëngjes. Po e zhvendosim datën e vizitës. Mezi pres të vizitoj vendin tuaj të bukur së shpejti,” tha Ursula von der Leyen në Twitter.

Qendra informative e BE-së njoftoi më herët të shtunën se mbërritja e saj në Mal të Zi u shty për shkak të mjegullës në aeroportin e Beogradit.

“Pritet një vonesë prej të paktën një ore”, thanë ata më herët.

Të premten, Ursula von der Leyen ishte në Bosnje dhe Serbi, ndërsa sot ishte planifikuar të ishte në Mal të Zi, si pjesë e një vizite rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Ajo ishte dashur të takohej në Villa Goricë me presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviç, ndërsa pas takimit do të mbahej një konferencë e përbashkët për media mes tyre.

Presidentja e KE-së më pas ishte paraparë të takohej me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re