Asambleja e Përgjithshme (AP) e Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi një projektrezolutë e cila i bën thirrje talebanëve të respektojnë të drejtat e njeriut.

Në Asamblenë e Përgjithshme me 193 anëtarë u mbajt votimi lidhur me projektrezolutën e paraqitur nga Gjermania.

Në Asamblenë e Përgjithshme u miratua me votat e 116 vendeve projektrezoluta në të cilën thuhet se talebanët shkelin të drejtat e njeriut, kryesisht të grave dhe vajzave afgane, se nuk kanë mundur të formojnë qeverinë përfaqësuese dhe se e kanë vendosur vendin në një situatë shumë të keqe në aspektin e kushteve ekonomike, humanitare dhe sociale.

Ndërkohë, dhjetë vende, përfshirë Rusinë dhe Kinën, kanë abstenuar.

Në rezolutë bëhet thirrje për respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe që për gratë të sigurohet pjesëmarrje kuptimplotë në çdo fushë të jetës.

Ka shqetësime për shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj grave dhe vajzave afgane, thuhet në rezolutën në të cilën nga talebanët kërkohet që të tërhiqen nga praktikat dhe politikat që kufizojnë përfitimin nga të drejtat e njeriut.

Në anën tjetër, Rusia dhe Kina, duke iu referuar SHBA-së, e cila ka qenë e pranishme në Afganistan deri në gusht 2021, bënë thirrje për ngritjen e një hetimi lidhur me krimet dhe njësitë e huaja në këtë vend.

Antje Leendertse, ambasadorja e Gjermanisë në OKB, në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme, tha se “nuk ka rrugë për njohje” për sa kohë nuk mbrohen të drejtat e njeriut dhe nuk respektohen këto të drejta dhe për sa kohë që nuk zhvillohet administratë gjithëpërfshirëse dhe nuk ka luftë kundër terrorizmit.

Në arenën ndërkombëtare vazhdojnë reagimet pasi talebanët vendosën pengesa për gratë në sferën e punës, arsimit dhe disa fusha të tjera sociale pas marrjes së kontrollit në vend më 15 gusht 2021.

Shumë vajza afgane nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak se administrata talebane i ka dhënë fund qasjes në arsim për vajzat që nga klasa e 6-të.

Talebanët nuk kanë bërë ndonjë deklaratë të përgjithshme se vajzat dhe gratë janë përjashtuar nga aktivitetet sportive. Por ndalimet përdoren shpesh kur palestrat, klubet dhe bizneset formale ose joformale ndiqen penalisht për shkak të pjesëmarrjes së vajzave dhe grave.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re