Prokuroria e Elbasanit ka vendosur sekuestro preventive për disa pasuri që buronin nga Klement Çala dhe i vëllai Eldi Çala teksa hetimi është bazuar mbi “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në total janë sekuestrua një apartament 50 m2 dhe ndërtesë 1 kat me sipërfaqe mbi 167 m2 në Kusarth të Elbasanit, në emër të Eldi Çalës dhe Elida Çalës. Armë 809 m2 në Kusarth në emër të Alkond Bengasit, Esunela Qevanit dhe Alert Qevanit.

Si dhe 50% të kuotave të Eldi Çalës në një shoqëri tregtare.

Njoftimi i prokurorisë:

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË ELBASAN

Informacion mbi procedimin penal Nr. 1285 te vitit 2019

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka regjistruar në datë 02/07/2019 procedimin penal Nr. 1285 për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, pa autor, mbi bazën e akteve hetimore të referuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka regjistruar po ashtu në datë 06/09/2019 procedimin penal Nr. 1676, për veprat penale të parashikuara nga nenet 180 e 287 të Kodit Penal, pa autor, mbi bazën e akteve hetimore të sjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan. Ky procedim penal lidhet me veprimet e kryer nga shtetasi Dritan Ekmekçiu, në kuadër të elementeve të veprave penale të parashikuara nga nenet 180 e 287 të Kodit Penal. Ky shtetas ka hyrë në marrëdhënie financiare të dokumentuar si dhe në marrëdhënie qiraje të padokumentuar me shtetasin Pullumb Çala, i ati i shtetasit Klement Çala.

Me vendimin e datës 09/09/2019, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka disponuar për bashkimin e akteve të procedimit penal Nr. 1285 të vitit 2019 me ato të procedimit penal Nr. 1285 të vitit 2019, në bazë të parashikimeve të neneve 79/1 të Kodit të Procedurës Penale.

Në datë 19/07/2019 është regjistruar në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime emri i shtetasit Klement Çala.

Me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan Nr. 623, datë 23/07/2019, është vendosur, ndër të tjera:

1. Vendosja e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi pasuritë e paluajtshme:

 Pasurinë me Nr. 1/189+1-2, vol. 23, f. 145, e llojit apartament, me sipërfaqe 50 m², zona kadastrale 8524, e gjendur në lagjjen “Vullnetari”, Pall. Nr. 645, shk. 1, kati 1, ap. 2, Elbasan, regjistruar në emër të shtetasve Pullumb Shefqet Çala dhe Elida Luan Çala;

 Pasurinë me Nr. 468/2/3, vol. 4, f. 131, e llojit arë + truall me sipërfaqe 500 m², zona kadastrale 2346, si dhe ndërtesë 1 kat e llojit njësi, me sipërfaqe 167,9 m², e gjendur në fshatin Kusarth, Bashkia Elbasan, regjistruar në emër të shtetasve Eldi Pullumb Çala dhe Elida Luan Çala;

 Pasurinë me Nr. 428/2/6, vol. 5, f. 127, e llojit arë me sipërfaqe 809,5 m², zona kadastrale 2346, e gjendur në fshatin Kusarth, Bashkia Elbasan, në emër të shtetasve Alkond Ferdinand Bengasi, Esunela Ferdinand Qevani dhe Alert Ferdinand Qevani, ku në datë 14/12/2017 është regjistruar kontrata e sipërmarrjes Nr. 4788/2867, datë 14/10/2017, me investitorë shtetasit Elida Luan Çala, Eldi Pullumb Çala dhe Pullumb Shefqet Çala.

2. Vendosja e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi 50% të kuotave të zotëruara nga shtetasi Eldi Pullumb Çala në shoqërinë tregtare “Alba Fashion Confession” sh.p.k, me Nipt L82620202I.

Në kuadër të këtij procedimi penal, në datë 16/12/2020 është marrë i pandehur dhe akuzuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 287/1 i Kodit Penal shtetasi Klement Çala.

I pandehuri është njoftuar me përfundimin e hetimeve paraprake si dhe për të është respektuar afati i përcaktuar në nenin 327/4 të Kodit të Procedurës Penale.
Me vendimin e datës 30/12/2020, nga aktet e procedimit penal Nr. 1285 të vitit 2019, janë ndarë aktet e procedimit penal Nr. 1676 të vitit 2019, pasi nga hetimet nuk kanë rezultuar të dhëna që justifikojnë bashkimin e procedimeve penale.

Në përfundim të hetimeve paraprake, duke i konsideruar të plotë veprimet hetimore, në përputhje me përcaktimet e nenit 327/6, gërma b, të Kodit të Procedurës Penale, me kërkesën e datës 31/12/2020, nga prokurori i çështjes është përpiluar kërkesa me objekt “Dërgimin për gjykim” të kësaj çështjeje penale në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, seksioni penal.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re