Kompanitë ndërtuese kanë kundërshtuar në unison, vendimin më të fundit të qeverisë për rishikimin e çmimeve të referencës së pronave.
Të surprizuar për këtë ndryshim në mes të vitit, Shoqata e Ndërtuesve I kërkon qeverisë nepërmjet një letre zyrtare dërguar edhe kryeministrit Edi Rama, që ky vendim të mos zbatohet.
Ndryshimi i referencave të pronave, sqaron Vizion Plus, rrit automatikisht dhe në mënyrë të menjëhershme tre taksa që paguajnë ndërtuesit.
Me një goditje, kjo VKM ka prekur tre taksa. Konkretisht taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksën 3% e strehimit social, si dhe 15% tatim fitimin, të cilat llogariten automatikisht me çmimet e reja të referencës. Ne kërkojmë që kjo VKM të pezullohet dhe të mos zbatohet deri hyrjen e plotë në fuqi të ligjit për të ardhurat –tha Luigj Aleksi President i Shoqatës së Ndërtuesve.
Nisur nga kjo situatë vendimi i Këshillit të Ministrave prek edhe ato leje ndërtimi që janë në proces. Ky fakt , shton Vizion Plus, sjell edhe cënim të planit të biznesit për kompanitë.
Në informacionet tona, të gjithë ata ndërtues që kanë marrë leje ndërtimi kanë hequr dorë nga zbardhja e saj, pasi rregullat e lojës kanë ndryshuar. Automatikisht çdo taksë, tashmë do të përllogaritet në bazë të çmimeve të reja të referencës dhe jo sipas planit të biznesit të hartuar me çmimet e vjetra- shprehet Erjon Harizi Kryetar Shoqata e Ndërtuesve.
Shoqata e Ndërtuesve si hap të parë i ka dërguar autoriteteve një letër ankesë, por nëse qeveria do të refuzojë, do të ndiqen dhe rrugët ligjore. E gjithë kjo situatë në finale do të ketë një efekt edhe më të madh tek konsumatorët, pasi çmimet e ndërtesave do të rriten me 35%.
Nëse qeveria nuk do të marrë në konsideratë kërkesën tonë, ne do të ndjekim rrugë ligjore. Por diskutojmë dhe studiot ligjore pasi per në kjo VKM është e palogjikshme është një barrë e re për ndërtuesit dhe jo vetëm, edhe për çdo qytetaret që ka një pronë dhe do ta shesë- sqaroi Harizi.
Ndërtimi është sektori që mban peshën më të madhe të taksave në vend, ndaj dhe çmimet e larta të ndërtimeve janë si rezultat edhe i barrës së tatimeve, një kosto kjo e cila në vend të ndalet, rritet edhe më tej.