Pasi komisioni i pavarur i kualifikimit zhvilloi seancën dëgjimore me gjyqtaren Altina Xhoxhaj, në media qarkulluan lajme për pasurinë e saj e cila ishte 2-fishuar gjatë dekadës së fundit. Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe avokatja e Xhoxhajt, e cila ka sqaruar se klientja e saj e ka deklaruar pasurinë e saj.

Ne emër te Anëtares se Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, përfaqësuesja e saj ne këtë proces Av. Shehi shpjegon ne interes te kujtdo qe është i interesuar:

“Mediat kanë publikuar një informacion të pasaktë sa i përket raportit të KPK-së për pasurinë e klientes së saj. Është me vend të qartësohet se bazuar në të dhënat, dokumentet dhe shpjegimet e administruara nga KPK, pasuria e vetme që ka blerë me të ardhurat e saj anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, pas 24 vjetësh punë është vetëm gjysma e një apartamenti prej 59 m2 të ndodhur në Ishëm të Durrës dhe gjysma e truallit përkatës prej 220 m2 nën dhe rreth këtij apartamenti”, – thuhet në reagimin e avokates.

Ndërkaq, sa i përket apartamentit që KPK thotë se nuk justifikohet, avokatja e Xhoxhajt ka bërë të ditur se ajo është e shlyer plotësisht nga bashkëjetuesi i gjyqtares. “Pasuria apartament prej 100 m2, që ndodhet në një zonë jo preferenciale të Tiranës është shlyer plotësisht nga bashkëjetuesi, i cili si subjekt i ligjit për deklarimin e pasurive ka deklaruar dhe provuar burimin e të ardhurave me deklarimet e bëra nisur nga viti 2003”.

Gjyqtarja Xhoxhaj thotë se në momentin që është regjistruar kjo pronë, në vitin 2011, ajo ka përfituar bashkëpronësinë e dhuruar nga bashkëjetuesi me të cilin ka dy fëmijë. Avokatja ka treguar edhe për llogaritë bankare, që KPK tha një ditë më parë se nuk justifikoheshin.

“Të ardhurat e Altina Xhoxhaj, gjatë viteve 2003-2016 kanë qenë në shumën 23,489,113 lekë dhe të ardhurat e bashkëjetuesit e saj, vetëm për vitet 2003-2016, janë në shumën 25,426,907 lekë. Këto të ardhura, bashkë me të ardhurat e gjeneruara nga të dy bashkëjetuesit para vitit 2003 kanë mbuluar investimet e mësipërme dhe kursimet në formën e depozitës”.

Të ardhurat e gjyqtares

Sipas Open Data të ardhurat e deklaruar për periudhën kohore të viti 2014, Altina Xhoxhaj përfiton nga paga si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, shumën prej 1 894 950 lekë. Të ardhura si pedagoge e jashtme në Shkollën e Magjistraturës, shumën prej 112 500 lekë. Të ardhura si trajnuese, projekti i BERZH-it për trajnimin e gjyqtarëve, shumën prej 1 500 euro. Të ardhura nga qiraja e apartamentit në Tiranë, 3780 euro, kontrata e lidhur më 1 nëntor 2013, rifreskuar më 1 nëntor 2014. Ndërkohë bashkëjetuesi Arben Idrizi, përfiton të ardhura neto nga paga si sekretar i Përgjithshëm në institucionin e Presidentit të Republikës, shumën prej 1 490 880 lekë. Për shërbime jashtë vendit në funksionin e sekretarit të Përgjithshëm Arben Idrizi, përfiton shumën prej 1 885 dollarë. Kursime nga të ardhurat nga paga e vitit 2014, rezulton shuma prej 1 100 000 lekë.()

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re