Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan i bënë thirrje Rusisë për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan kërkuan bashkarisht armëpushim në luftën ruse në Ukrainë. “Ne jemi të dy, presidenti Erdogan dhe unë, tërësisht në unanimitet në dënimin e ndërhyrjes së dhunshme të Rusisë në Ukrainë”, tha Scholz gjatë vizitës së parë që po zhvillon në pozitën e kancelarit në Turqi. Gjithashtu duhet që menjëherë të krijohen korridore të sigurta për civilët. Erdogan theksoi: “Ne do të vazhdojmë pandërprerje përpjekjet për një armëpushim të qendrueshëm.” Jemi të një mendimi, se duhet të vazhdojnë përpjekjet diplomatike.

Scholz dhe Erdogan së bashku iu adresuan me një apel presidentit rus Vladimir Putin: “Reflektoni”. Scholz tha: “Me çdo ditë që kalon, me çdo bombë Rusia largohet gjithnjë e më shumë nga rrethi i bashkësisë ndërkombëtare, që krijojmë ne së bashku.” Sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës janë të padiskutueshëm. Me Turqinë si partnere e NATO-s ne do të bashkëpunojmë ngushtë në konflikt, theksoi Scholz.

Turqia e konsideron veten si ndërmjetësuese në konfliktin e Ukrainës. Ky vend i NATO-s ka marrëdhënie të ngushta me Kievin dhe Moskën. Të enjten ministrat e Jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë, Dmytro Kuleba dhe Sergej Lavrov, u takuan për herë të parë që nga fillimi i luftës në Antlja. Bisedimet u mbyllën pa rezultate konkrete.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re