Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus në Shqipëri ka vënë në alarm ekspertët e shëndetësisë. Rikthimi i karantinës në shtator, sipas tyre është e vetmja mënyrë për të shmangur humbjet e jetëve, pasi po vërehet një neglizhencë nga ana e qytetarëve për të respektuar masat.

Në një video mesazh drejtuar qytetarëve, epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik, doktor Alban Ylli thotë se ndryshe nga vendet e tjera në Evropë e botë, ku qytetarët po tregojnë solidaritet duke zbatuar protokollin e miratuar nga OBSH për parandalimin e përhapjes së COVID19, në Shqipëri me heqjen e karantinës, shifrat e të prekurve dhe numri i viktimave nga Covid u rrit me shpejtësi.

“Gjatë periudhës së shtetrrethimit, gjithë qytetarët dëshmuan disiplinë, gatishmëri solidaritet dhe ja dolëm mbanë të shpëtojmë me qindra jetë. Tani jemi para një sfide të re. Do të na duhet për asnjë rast mos të harrojmë se i gjithë globi është para një sfide”, thotë në një video mesazh epidemiologu i njohur.

Më tej, Ylli ka kërkuar sidomos nga moshat e reja që të shtojnë kujdesin, duke mos harruar se virusi është ende prezent dhe më i rrezikshëm se kurrë. “Në mjedise të mbyllura të mbajmë maska, të ruajmë distancën dhe të rrisim higjienën personale për të minimizuar riskun në mungesë të masave drastike.

Derisa të zbulohet vaksina e re. ne do të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm dhe të zbatojmë këshillat”, shprehet ai.

Në fund të apelit, epidemiologu i shëndetit publik, Alban Ylli thotë se një valë e dytë e pandemisë është plotësisht e mundshme ndaj kjo e bën edhe më të nevojshme zbatimin e rregullave.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re