Kryedemokrati Sali Berisha është paraqitur sot në SPAK rreth orës 10:00 në zbatim të masës së sigurisë detyrim paraqitje të caktuar nga Apeli i GJKKO-së.
Kjo është hera e dytë që Sali Berisha paraqitet në ambientet e SPAK, pas vendimit të togave të zeza më datën 3 Janar.
Kryedemokrati Sali Berisha u prit nga simpatizantët e PD-së jashtë godinës së Prokurorisë së Posaçme pas thirrjeve nga Partia Demokratike për protesta.
Berisha qendroi ne SPAK vetem 20 minuta dhe ne dalje per mediat tha: “Skrapi dhe Altin Lala do përfundojnë si çdo vegël tjetër e diktaturave. Një informacion taze, Altin Lala, i cili është i birësuar nga krimineli Ymer Lala me të paktën 1 milion euro, sepse e ekzoneroi nga akuzat për vrasje, të bëra nga dëshmitari i drejtësisë, i penduar, Luftar Reçi, i kishte dhënë urdhër OPGJ-së që në procesverbal të mos shënohet asnjë lloj vërejtje.
Dhe atëherë kompromisi u arrit, firmosa dy procesverbale, dy kopje mbajtën ata, një pa vërejtje, një me vërejtje.
Atë me vërejtje se u thashë se unë pa firmosur vërejtjet dhe pa ua pa paraqitur ato qytetarëve dhe medias, nuk mund të dal nga Skapi i partisë.
Shikoni çfarë turpi janë, e kanë rrethuar me policë, çfarë frikacakashësh. Ata që kanë kryer krime, ata kanë gjithmonë frikë. Çfarë po bëni ju? Asgjë nuk po bëni.
Këtu në dalje po ua lexoj pak shënimin, kartolinën e mëngjesit që u dërgova krerëve të organizatës kriminale Skrapi i partisë.
“Organizata kriminale e Skrapit të partisë, e angazhuar në luftë kundër pluralizmit dhe opozitës, e kryesuar nga Altin Lala, do të përfundojë, do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë”. Pra, do përfundojnë në koshin e plehrave të shoqërisë dhe historisë”.
VENDIMI
Apeli i GJKKO-së ka sqaruar arsyet e vendimin për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj Sali Berishës nga “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka argumentuar se, mes të tjerash, u mor në konsideratë fakti që jemi përpara në periudhën para fushatës zgjedhore dhe Sali Berisha, edhe me vendim të Kushtetueses, është konsaideruar si lideri i opozitës ose kryetar i partisë kryesore opozitare. Ndaj sipas tyre, u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.
Gjithashtu, togat e zeza argumentojnë se me anë të masës “Arrest në shtëpi”, kreu i PD-së e ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë nga dispozitat ligjore për moszbatimin e masës së mëparshme të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”,
Dhe për rrjedhojë kjo masë sigurimi duhej zëvendësuar, duke i’u dhënë edhe një herë mundësia kërkuesit që të respektojë detyrimet qe lidhet me masën e re të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Megjithatë, Apeli i GJKKO-së paralajmëron se në rast se Sali Berisha nuk do të zbatojë detyrimet që lidhen me masën e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, atëherë organi i akuzës do të ketë të drejtën të kërkojë serish zëvendësimin e kësaj mase sigurimi, me një masë sigurimi më të rëndë.
Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:
Informacion i përmbledhur i veprimtarisë gjyqësore
Lidhur me kushtet e veçanta për caktimin e masës së sigurimit personal, nga vendimmarrja e gjyqtarit të hetimeve paraprake nuk ka ndryshuar asgjë, dhe gjyqtari i seancës paraprake nuk ka sjellë ndonjë element të ri që tregon mungesën e kushteve të veçanta si rreziku i ikjes dhe rreziku i dëmtimit të provave.
Vendimi i gjyqtarit të hetimeve paraprake (lidhur me caktimin masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”), i ka kaluar të tre shkallët e gjykimit madje dhe Gjykatën Kushtetuese dhe është konfirmuar.
Ndërkohë, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” është vendosur jo për shkak të shtimit të nevojave të sigurimit por për shkak të thyerjes së detyrimeve të masës së mëparshme të sigurimit, ajo e “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Kërkuesi z. S.B. e ka tentuar duke paraqitur edhe më parë pranë gjyqtarit të hetimeve paraprake, kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit personal, ku e tillë kërkesë është rrezuar me vendim të konfirmuar në të tre shkallët e gjykimit.
Si rezultat, nuk ka vend për shuarjen e masës së sigurimit personal.
Gjyqtari i seancës paraprake në marrjen e vendimit të tij, thjesht ka bërë një rivlerësim të elementëve që janë marrë një herë në konsideratë nga gjyqtari i hetimeve paraprake, pa shtuar ndonjë element të ri, gjë e cila nuk i lejohet pasi përbën gjë të gjykuar.
Lidhur me zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga ajo e “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, duke marrë parasysh:
– faktin se kërkuesi kishte një vit me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”,
– faktin se moszbatimi i detyrimeve që lidheshin me masës e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” bazoheshin mbi një alibi për antikushtetuetshmërinë e kësaj mase, të rrezuar tashme nga Gjykata Kushtetuese,
– moshën dhe rrethana e tjera që kanë qenë në konsideratë të gjyqtarit të hetimeve paraprake, por të vlerësuara tashmë në raport me këto rrethana të tjera,
– si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare,
u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.
Me anë të kësaj mase (“Arrest në shtëpi”) kërkuesi e ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë nga dispozitat ligjore për moszbatimin e masës së mëparshme të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, dhe për rrjedhojë kjo masë sigurimi duhej zëvendësuar, duke i’u dhënë edhe një herë mundësia kërkuesit që të respektojë detyrimet qe lidhet me masën e re të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Ne rast se kërkuesi nuk do të zbatojë detyrimet që lidhen me masën e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, atëherë organi i akuzës do të ketë të drejtën të kërkojë serish zëvendësimin e kësaj mase sigurimi, me një masë sigurimi më të rëndë.
Vendimi nr. 1, datë 03.01.2024 i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.