Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-numrin dy të policisë, Erzen Breçani, Besmir Muratin, Bujar Ajetin dhe Dedan Gjonin.

Të akuzuarit do të vijojnë të mbeten në burg, teksa mund të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 04.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 61 akti, datë 26.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim Besmir Murati, Bujar Ajeti, Dedan Gjoni dhe Erzen Brecani me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 128, datë 23.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

1. Miratimin e vendimit nr. 124, datë 17.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate;2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, thuhet në njoftim.

Në dosjen e SPAK thuhet se Breçani dyshohet të ketë përkrahur dy autorë krimesh: Bujar Gërmizin dhe Nuredin Dumanin, duke iu dhënë informacione për t’iu shmangur arrestimit. Po ashtu, në bisedat telefonike përmendet edhe një episod i kalimit të një shume prej 500 mijë eurosh, që besohet se ai e ka investuar në biznese.

Ndërkohë, Gjoni dyshohet se ka dhënë informacione për vendndodhjen e dy vëllezërve Albert e Edmond Nela, që ishin vënë në shënjestër për tu ekzekutuar nga Ismail Zeneli, i shpallur në kërkim.

Sipas SPAK Dedan Gjoni ka kërkuar informacione në sistemet kryesore të policisë ku kishte akses. Po ashtu një tjetër moment është edhe përdorimi i agjentes së Interpolit, Jonida Babameto, për të siguruar të dhëna të klasifikuara për bashkëpunëtorë në botën e krimit e personazhe të tjerë. /

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re