Apeli i GJKKO ka prishur pjesërisht vendimin e GJKKO duke i hequr sekuestron e vilës së nënës së saj, Fatime Kryemadhi,. Por mbetet nën sekuestro vila e deputetes së PL-së, Monika Kryemadhi.
Ajo tha se do ta vazhdojë betejën me drejtësinë edhe ne shkallet e tjera te drejtesise, deri ne Strasburg.
Për mediat, Kryemadhi deklaroi se vendimi është një hakmarrje për shkak të denoncimeve për inceneratorin e Tiranës.
“Betejë ligjore që do durim dhe konsistencë. Të dyja banesat janë të përfituara në mënyrë të ligjshme, e prani edhe prokurori. Ka edhe një avantazh që unë futem një cik më pa radhë se mamaja ime në gjykatën e Strasburgut. Në raste të tilla prokurori zbaton vendimin e gjykatës. Kishim vetëm shpalljen, prokurori kërkoi që të mos ndryshohej vendimi. Që të jemi të sinqertë, prokurori ngritën arsyen e bashkëpunimit të Fatime Kryemadhit me Ilir Metën për korrupsion që nga video e Dritan Priftit. Për çështjen e CEZ-Dia që pretendojnë se Fatime Kryemadhi ka bashkëpunuar me Metën. Fatime Kryemadhi e ka blerë banesën në mars ndërsa Meta dyshohet për një çështje që është gjykuar dy herë në 2015, bëhet fjalë për në dhjetor të 2018. Si mund të jetë bashkëpunimi. Nuk ka koherencë, sistem të provave, aq më shumë që ti bën sekuestro për një grua që ka një ekspertizë financiare të paraqitur”, tha nder te tjera Kryemadhi.
VENDIMI I APELIT TE GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më 17.12.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 68, datë 06.12.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve M.K dhe F.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 640, datë 15.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë e paluajtshme”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 640, datë 15.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme ***, ndërtesë me sipërfaqe: kati përdhe 152 m2, nga te cilat 82 m2 banesë dhe verandë 70 m2, sipërfaqe kati nëntokë 139 m2, sipërfaqe kati i parë 79 m2, sipërfaqe e katit të dytë 51 m2, sipërfaqe verande kati i dytë 27.9 m2, në pronësi të shtetases F.K.me adresë: ***.
