KQZ kërkoi nga forcat politike të dorëzojnë emrat e komisionerëve, por thirrjes i është përgjijgur vetëm partia socialiste. Afati i fundit për dorëzimin e emrave të anëtarëve të KZAZ-ve është deri mesnatën e datës 18 mars. PD dhe LSI nuk kanë dorëzuar ende emrat, duke hedhur kështu një hap drejt bojotimit të zgjedhjeve vendore.

“Data 18 Mars shënon afatin përfundimtar për depozitimin e propozimeve për KZAZ-të”, tha zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj. Por vetëm PS i është përgjigjur pozitivisht KQZ-së duke dorëzuar emrat në mesditë.

Kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se selia rozë do të respektojë afatet ligjore. “Çdo parti politike ka detyrimin për t’iu përgjigjur afatit të depozitimit të kandidaturave për anëtarë të KZAZ”, tha ai.

Pas përfundimit të afatit, KQZ do të plotësojë komisionerët e PD dhe LSI me emra të tjerë të shoqërisë civile. Një tjetër afat është regjistrimi i partive në zgjedhjet vendore, i cili përfundon me 20 prill ndërsa lista e kandidatëve duhet të dorëzohet brenda datës 13 maj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re