Gjykata Administrative ka rrëzuar padinë e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj Autoritetit të Dosjeve së ish-Sigurimit, duke lënë kështu në fuqi vendimin e më hershëm të Gjykatës së Tiranës.
Autoriteti i Dosjeve ka reaguar pas këtij vendimi, duke theksuar se ky institucion është i gatshëm për të bashkëpunuar me çdo institucion drejtësie, ndërsa nënvizon se prioritet mbetet zbatimi i ligjit.
“Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit deklaron se është në pritje të vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Apelit ndërsa siguron publikun, se në veprimtarinë e tij zbaton parimet kushtetuese dhe ligjin e veçantë me të cilin normohet veprimtaria institucionale, si dhe respekton parimet e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat që ka çdo institucion.
Parimisht, si në çdo rast kur vendimet përmbajnë detyrime për Autoritetin, Autoriteti vepron duke zbatuar detyrimet e përcaktuara nga gjykata ose i ankimon vendimet në gjykatat më të larta.”, thuhet në reagim.
Ilir Meta ngriti një padi organeve të drejtësisë Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit për 6 shkelje ligjore, që sipas tij, kanë bërë anëtarët e këtij institucioni, duke ia përmendur emrin në shkresat drejtuar Kuvendit, si i lidhur me Sigurimin e Shtetit gjatë viteve të diktaturës komuniste.
Por akuzat e ish Presidentin, Ilir Meta nuk janë konfirmuar nga drejtësia, e cila për herë të dytë rrëzon pretendimet e tij, duke konsideruar si legjitime veprimtarinë e institucionit në fjalë.
“Gjykata Administrative vendosi me këtë rast: Rrëzimin e kërkesë-padisë së paraqitur nga paditësi, si të pabazuar në ligj dhe në prova”, thuhet në vendimin e gjykatës, duke konfirmuar edhe njëherë se Autoriteti i Dosjeve nuk ka konsumuar asnjë nga veprat penale të pretenduara nga Ilir Meta.
Ky i fundit u përfol politikisht si i përfshirë në dosjen e Ish-sigurimit, gjë e cila mjaftoi për t’iu kundërvënë këtij institucioni, ndonëse në njoftimin e bërë publik përmenden vetëm inicialet e zyrtarit të lartë të përfshirë në dosje.