Me një votë unanime, tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit të Tiranës konfirmuan të mërkurën vendimin e pushimit të hetimeve mbi procedurën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes te kompania çeke CEZ.

Nga Edmond Hoxhaj

Gjykata e Apelit e Tiranës la në fuqi të mërkurën vendimin e shkallës së parë për pushimin e hetimeve lidhur me procedurën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, OSSh,(Tani OSHEE) nga çekët e ÇEZ në vitin 2007.

Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit Tiranë i përbërë nga gjyqtarët Alaudin Malaj kryesues, dhe Genti Shala e Shkëlqim Mustafa anëtarë kanë vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.211 të datës 24 janar 2020 të shkallës së parë. E pyetur nga BIRN, gjyqtarja për mediet pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Edlira Petri tha se vendimi ka qenë unanim.

Gjykata e Tiranës vendosi më 24 janar që të pranojë kërkesën e prokurorisë për pushimin e hetimeve për procedurën e privatizimit të OSSh në vitin 2007, që kishte qenë e regjistruar për veprën penale “ushtrim i ndikimit të paligjshëm” dhe hetohej nga viti 2017.

Për këtë çështje u ngrit më parë një Komision Hetimor Parlamentar i drejtuar nga deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla. Komisioni Hetimor Parlamentar arriti në konkluzionin se procedura e privatizimit i kishte shkaktuar shtetit një dëm financiar mbi 400 milion dollarë dhe kreu kallëzim penal në prokurori.

Prokuroria e dërgoi edhe më parë këtë çështje për pushim, por gjykata i la për detyrë kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore dhe marrjen e deklarimeve të disa zyrtarëve, mes tyre edhe marrjen e dëshmisë së Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Edhe pas kryerjes së këtyre “detyrave” prokuroria nuk gjeti përgjegjës dhe e ridërgoi për pushim në gjykatë në fillim të dhjetorit.

Kërkesa e prokurorit të çështjes Erjon Imeraj për pushimin e hetimeve u vlerësua e drejtë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë nga gjyqtari Lazer Sallaku, i cili vendosi ta pranojë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re