Trump pritet të bëjë njoftime të rëndësishme gjatë ditës së sotme: Apple tashmë është zotuar që në fillim të këtij viti të investojë 500 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara.
Apple po përgatitet të investojë edhe 100 miliardë dollarë të tjerë për të zgjeruar operacionet e saj në Shtetet e Bashkuara, një iniciativë që Donald Trump do ta shpallë të mërkurën, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë. Investimi i ri i Apple është pjesë e një strategjie më të gjerë për të rikthyer prodhimin në Shtetet e Bashkuara dhe i shtohet angazhimit të shpallur më parë prej 500 miliardë dollarësh që fillon këtë vit.
Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers, kjo është “një tjetër fitore për prodhimin amerikan”, pasi iniciativa synon të riprodhojë komponentë kritikë në Shtetet e Bashkuara. “Axhenda ekonomike e Presidentit Trump “Amerika e Para” ka siguruar triliona dollarë në investime që mbështesin vendet e punës amerikane dhe forcojnë bizneset amerikane”, tha Rogers, duke shtuar se “njoftimi i sotëm i Apple forcon si ekonominë ashtu edhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.
Sipas informacionit të raportuar për herë të parë nga Bloomberg, paketa e re do të përfshijë nisjen e një programi prodhimi amerikan që synon zhvendosjen e pjesëve kritike të zinxhirit të furnizimit të Apple në Shtetet e Bashkuara.
Administrata Trump ka ushtruar prej kohësh presion mbi gjigantët e mëdhenj të teknologjisë, përfshirë Apple dhe Samsung, që të zhvendosin prodhimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, në vend që të mbështeten në fabrikat e montimit në Kinë, Indi dhe Vietnam.
Megjithatë, analistët thonë se kjo është e vështirë në praktikë për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar teknikisht, kostove më të larta të punës dhe shpërndarjes gjeografike të furnizuesve.
