“Që të rrojë një gjyshe 87 vjeç e të shohë fëmijën e sëmurë… jam shumë e duruar. Po duroj kaq shumë, i them o biri i nënës pse paske tërë këto kusure. Aq më dhemb saqë them shpirtin t’i jap, por s’mundem dot.”

Këto fjalë dalin nga zemra e një të moshuare. Ajo përballet çdo ditë me sëmundjen e mbesës. I dhemb në shpirt e ndonjëherë pyet Zotin, si ka mundësi që në këtë moshë po duron kaq shumë.

Teadria është veçse 14 vjeçe. Pasioni e talenti i saj është piktura. Por as pikturën s’mundet dot më ta ushtrojë kjo vajzë nga Durrësi. Prej kohësh ajo vuan nga skolioza. Sëmundja ia ka deformuar trupin. Dhimbjet janë të përditshme.

“Kur shkoja në shkollë, kisha shumë lodhje, veçanërisht në fizkulturë. Nuk kisha mundësi të vrapoja. Jetojmë në katin e tretë e kur ngjitesha, ndjeja lodhje, gjithmonë më merrej fryma… nuk e dija se isha e prekur nga sëmundja e skoliozës. Shumë u frikësova, thoja me veten, çfarë do të ndodhë me mua.. më dhemb shumë shpatulla e qafa, fryma më merret e ndjej shtrëngim në kraharor.”-rrëfeu Teadria për “Shqiptarët për Shqiptarët”.

E njëlloj siç Teadria ndjen dhimbjet e trupit, po aq dhimbje ka në zemrën e nënës së saj.

“Që ditën që e mësuam, me lot në sy. Kur e shikoj vajzën të vuajë, nuk fle dot gjumë natën e as unë… nuk e shikoj dot vajzën, sa vjen e po deformohet. Ka dhimbje të tmerrshme. Më mirë të ikja unë sesa ajo, sepse s’mund ta imagjinoj dot time bijë…”-thotë nëna e Teadrias.

Sëmundja ka përparuar dhe nevoja për të kryer operimin është emergjente.

“Tani as për të vizatuar s’mundem dot më, të gjitha ëndrrat e mia u prishën e tani nuk di më çfarë të bëj.  Operacioni kushton shumë, 25 mijë euro dhe unë e di që nuk kanë mundësi prindërit e mi, nuk e përballojnë dot. Kjo është dëshira ime më e madhe, të jem si më parë, të bëhem operim e ta ndjej veten si më parë, si të gjithë.”-na rrëfeu Teadria.

“Shqiptarët për Shqiptarët” s’mund të linin këtë vogëlushe e lutjet për ndihmë të familjes. Kësisoj Fondacioni Firdeus mori përsipër kostot e operimit. Teadria e kreu operimin dhe gjithçka shkoi për mirë.

Një javë thuajse pas ndërhyrjes, kjo është gjendja e 14 vjeçares. Shikoni videon më poshtë

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re