Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se përpjekjet e tyre të përbashkëta ndërmjetësuese ndihmuan të çonin në një shkëmbim të suksesshëm të të burgosurve mes SHBA-së dhe Rusisë të enjten.

“Të dy vendet thanë se suksesi i përpjekjeve të ndërmjetësimit ishte një pasqyrim i miqësisë reciproke dhe solide midis dy vendeve të tyre dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Federatës Ruse”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ata theksuan gjithashtu rolin e rëndësishëm që kanë luajtur lidershipet e dy vendeve vëllazërore në nxitjen e dialogut mes të gjitha palëve.

Sipas deklaratës, Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed drejtuan përpjekjet e ndërmjetësimit.

SHBA dhe Rusia finalizuan një shkëmbim të burgosurish të enjten, sipas zyrtarëve, në një marrëveshje që liroi yllin amerikan të basketbollit Brittney Griner për tregtarin famëkeq rus të armëve Victor Bout.

Shkëmbimi ndodhi në Abu Dhabi në prani të “specialistëve” nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe falënderuan qeveritë e SHBA-së dhe Rusisë për bashkëpunimin dhe përgjigjen ndaj përpjekjeve ndërmjetësuese të udhëheqjes së dy vendeve.

Kjo është hera e dytë që Arabia Saudite ndërmjetëson lirimin e të burgosurve këtë vit.

Princi i Kurorës saudit kishte qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Kremlinin dhe Ukrainën si pjesë e përpjekjeve për lirimin e të burgosurve të luftës, të cilat përfshinin pesë shtetas britanikë, një maroken, një suedez, një kroat dhe dy amerikanë.

Burimi: Ora News

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re