Ministri saudit i Shtetit për Punët e Jashtme, Adel al-Jubeir zhvilloi bisedime në Rijad me Ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt, Yael Lempert, për të diskutuar përpjekjet për të arritur një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Jemen.

Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme saudite thuhet se bisedimet mes dy diplomatëve kanë trajtuar zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Departamenti i Shtetit të SHBA-së në një njoftim tha se diskutimet, të cilat u mbajtën të hënën, u ndalën edhe në një sërë çështjesh rajonale, përfshirë krizën në Liban.

Një krizë diplomatike shpërtheu midis Libanit dhe shteteve të Gjirit në tetor për shkak të kritikave ndaj luftës së Jemenit nga ministri i atëhershëm i Informacionit, George Kordahi.

Vizita e Lempert-it në Arabinë Saudite erdhi në mes të sulmeve të rebelëve Huthi në Jemen ndaj Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Arabia Saudite ka udhëhequr një fushatë ushtarake kundër rebelëve Huthi që nga viti 2015, një vit pasi rebelët e lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të Jemenit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re