Janë tri vajza ekrani, tashmë nëna djemsh nga martesat e tyre
disavjeçare që përfunduan me divorc. Sikur ta kishin lënë me fjalë,
Arbana Osmani, Jonida Maliqi dhe Bora Zemani në të njëjtën kohë kanë
konfirmuar lidhjet e tyre të reja të dashurisë, secila në mënyrën e saj.

E para ishte moderatorja e “Dua të të bëj të lumtur”, e cila pas
shumë e shumë lajmeve se tashmë është në një lidhje me regjisorin e
programit të saj Eduart Grishaj, më në fund vendos të dalë hapur, vendim
që e mori me publikimin e një fotoje çift nga Barcelona, ku po
pushojnë. Që në momentin që u përfol për një lidhje të mundshme mes
moderatores dhe regjisorit, ata kapeshin “mat” duke bërë komplimente apo
duke lënë fjalë romantike nëpër komentet që i bënin njëri-tjetrit në
profilet e tyre në “Instagram”.

Ndërkohë, nuk mungonin as fotot e tyre bashkë, por gjithmonë nën
justifikimin se ata janë kolegë. Së fundmi, Arbana ka pranuar në mënyrën
më të bukur se është në një lidhje me regjisorin. Ajo ka publikuar për
herë të parë një “selfie”, ku shfaqet së bashku me Eduartin teksa
ndodhen me pushime në Barcelonë. Çifti po pushon në Barcelonë bashkë me
stafin e emisionit, si një dhuratë nga vetë Arbana me mbylljen me sukses
të sezonit.

Ndërkohë, në foton e publikuar nga Arbana, ata shfaqen të buzëqeshur
dhe duken të lumtur pranë njëri-tjetrit. Por kujtojmë se komplimentet
dhe fjalët e bukura janë të pranishme në komentet e shumta që i lënë
njëri-tjetrit teksa publikojnë foto në “Instagram”. Eduarti ka publikuar
prej kohësh foto vetëm me Arbanën. Ndërsa kjo e fundit ka publikuar për
herë të parë një “selfie” me regjisorin e programit, duke pranuar
ndoshta indirekt lidhjen e aq përfolur në media. Po ashtu, edhe
këngëtarja Jonida Maliqi ka konfirmuar lidhjen e saj me aktorin e “Al
Pazar”, Romeo Veshaj, por në mënyrën më të guximshme të mundshme.

Prej disa muajsh, këngëtarja Jonida Maliqi dhe aktori i humorit
përfliteshin për një romancë, të cilën nuk e kanë mohuar. Ata nuk kanë
pranuar të flasin për këtë, por një video e tyre nga pishina dhe shumë
të përqafuar, pak ditë më parë, bëri të gjithë të mendonin se
thashethemet janë të vërteta.

Edhe pas kësaj video, ata nuk preferuan të flisnin, duket se këtë
surprizë e kishin rezervuar për puntatën e parë të emisionit më të ri në
“Tring” me titull “Treshat”. Romeo, Donaldi dhe Bora Zemani nisën
programin dhe e ftuara e parë ishte pikërisht Jonida. Në promon e
emisionit, Bora e pyeti Jonidën nëse beson në dashurinë e vërtetë dhe më
pas në një tjetër sekuencë Jonida shihet duke u puthur në ekran me
Romeon. Por në këtë program nuk ishte vetëm Jonida që vulos lidhjen e
saj me Romeon.

Edhe prezantuesja e emisionit, e cila i dha fund lidhjes disavjeçare
me Dj. Vin Velin, ka vendosur ta bëjë konfirmimin e historisë së re të
dashurisë në emision. Prej muajsh përflitet se ajo dhe aktori që na ka
bërë gjithnjë të qeshim me batutat e tij, Donald Veshaj, janë në një
lidhje. Bora, Donaldi dhe Romeo ishin të ftuar në “Tring Stars” për të
folur për projektin e ri që i bëri bashkë në televizion. Teksa zbuluan
shumë rreth emisionit të tyre, gjatë intervistës ranë në sy ngacmimet që
Donaldi i bënte Borës. Fillimisht, Donaldi i përmendi Borës këmbët e
lyera me krem shkëlqyes dhe moderatorja i bashkoi këmbët e saj me të
tij.

Ndërsa Romeo i bëri shumë komplimente ‘kunatës’, duke thënë se ajo
është jo vetëm shumë e bukur, por edhe prezanton shumë mirë dhe ka ide
të mira. Pas kësaj, Bora e falenderoi Romeon duke i dhuruar një puthje
në faqe. Ndërsa Donaldi si për të konfirmuar që ata nuk janë thjesht
kolegë, tha: “E kemi mikeshë familjare”. Le të shohim nëse pas këtyre
konfirmimeve, Arbana, Jonida dhe Bora do të nisin të rrëfejnë dashuritë e
tyre në programe televizive.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re