Ish-ministri i Financave Arben Malaj  i ftuar në emisionin “Quo Vadis” të Pranvera Borakajt ka kujtur kohët e vjetra me mikun e tij të ndjerë, Bashkim Finon. Malaj thotë se me Finon është njohur në universitet ku për 4 vite kanë fjetur në të njëjtën dhomë si studentë të së njëjtës dege.

Në ekranin e Vizion Plus, Malaj ka treguar edhe se si u bënë bashkë në politikë.

Pranvera Borakaj: Jeni ngjitur me Bashkim Finon. Me të cilin keni qenë edhe shok dhome.

Arben Malaj: 4 vjet. Unë e kisha si vëlla dhe më dhemb fakti që ai iku kaq shpejt. Ishim shokë dhome, ishte njeri shumë i mirë. Edhe pse ishte nga Gjirokastra, gjatë verës punonte kamarier dhe kursimet vinte i harxhonte me ne.

Pranvera Borakaj: Si u përfshitë të dy në politikë?

Arben Malaj: Ishin negociata të vështira, ku Berisha kërkonte të krijonte një qeveri kombëtare. Socialistët, në mënyrë të veçantë Presidenti Mejdani ishte shumë në siklet dhe në vështirësi sepse mendonte që çdo ditë që ikte shtonte të vrarët në Shqipëri. Bëhet fjalë për vitin 1997. U diskutua që në atë kohë do krijohej qeveria dhe Berisha vuri kusht që asnjë figurë e lartë politike nga PS të mos ishte. Në atë mbledhje dikush bëri një propozim për emrin tim, Berisha nuk e kundërshtoi. Por ne patëm në debat të vështirë te PS-ja sepse unë i thashë Mejdanit që duke qenë nga Vlora unë nuk mund të bashkëqeveris me të. Jo se nuk doja, por se ai gjithmonë do tentonte ta hidhte fajin te Vlora.

Kjo do nxiste më shumë debate me të se sa bashkëpunim. Mejdani më tha “do ia thuash këto në sy Berishës që të dalim nga kriza”. ‘Ia them’ i thashë unë. Kur un rashë dakord t’ia thoja, dy kolegë në PS filluan të me thoshin “po sikur t’i thuash këtë, po sikur t’i thuash atë”. Në një moment më kapi inati i labit dhe i thashë ‘ju edhe më thoni bëhu kryeministër dhe më tregoni çfarë t’i them Berishës”. Përplasa derën dhe ika në shtëpi. Më vonë u vendos për Bashkimin. Duke qenë se unë e njihja personalisht, më mori e ëma dhe më tha “mos ma lër djalin vetëm”, sepse Bashkimi nuk e kishte arritur të atin. I kishte vdekur para kohe. E ëma nuk ishte martuar kurrë dhe e kishte gjënë më të veçantë. Aty u dorëzova dhe Bashkimi kishte vendosur që për ministër Finance dua Malajn dhe u bashkuam të dy./ 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re