I ftuar në emisionin “Quo Vadis” të moderuar nga Pranvera Borakaj në Vizion Plus, mbrëmjen e sotme ishte ish-ministri i Financave Arben Malaj.

Ky i fundit, gjatë emisionit, është suprizuar përmes një videomesazhi nga vajza e tij, e cila jeton në SHBA.

“Përshëndetje! Po e nis këtë mesazh me një mirënjohje për babin tim, i cili më ka inspiruar më shumë nëpërmjet veprimeve të tij, se sa me fjalë. Disa nga mësimet që i kam parë tek ai më kanë ndihmuar t’i marr vendimet në jetë me logjikë, pa u bërë pre e tundimeve apo presioneve të shoqërisë. Këto principe më kanë dhënë një forcë të pashterueshme brenda vetes. Babi im është bërë shembull që të mësoj, lexoj dhe punoj sa më shumë. Shpesh e gjej veten duke punuar shumë vonë dhe me shumë pasion dhe kujtohem që babin e mbaj mend gjithmonë duke punuar, dhe kur ishte në shtëpi, në darkë, në fundjavë dhe madje gjatë pushimeve. Babi ka një zemër shumë të madhe. Ka pasur raste që u ka dhënë shokëve kollare, xhaketën e vet ose orën vetëm sepse ata e kishin pëlqyer. Deri atje arrin zemërgjerësia e tij. Dhe unë si ai jam përpjekur të bëj sa më shumë punë vullnetare me grupet në nevojë. Do duheshin orë të tëra të listoja influencën e tij pozitive. Babi të përqafoj fort nga larg”, ishte mesazhi i vajzës së zotit Malaj.

Arben Malaj: Nuk më tregoi!

Pranvera Borakaj: Është larg goca, jeton në SHBA.

Arben Malaj: E do Shqipërinë dhe vjen dy herë në vit.

Pranvera Borakaj: A të vjen keq që ndodhet në Amerikë? Do doje që të ishte në Shqipëri?

Arben Malaj: Problemi është që distanca është bërë diçka e pamatshme sepse i ke të gjitha mundësitë e kontakteve. E rëndësishme është që ajo ndjehet mirë dhe është ambicioze./ 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re