Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike Arben Ristani deklaroi në Radarin Informativ në ABC se votimi i Bashës për zgjatjen e vettingut u justifikua me votimin e dy komisioneve për reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore. Ristani tha se ka qenë vetë Basha që ka bllokuar Territorialen pak vite më parë dhe sot e kërkon me ngulm për të përligjur qëndrimin e tij pro nismave të shumicës socialiste.

“Reforma në drejtësi është e nevojshme dhe në veçanti vettingu ka qenë i domosdoshëm. Kur u bë kushtetuta edhe politikanët shqiptarë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë e menduan që kjo mënyrë do të vazhdonte për kaq kohë jo për të gjithë jetën. Kushtetuta bëhet për një kohë të gjatë sepse e bëjnë burrat e shtetit. Njerëzit e përgjegjshëm dhe me mend. Edhe kur do të bësh një ndryshim të tillë një konsultim të tillë, pse nuk e realizove detyrën kushtetuese gjatë këtyre viteve. Njerëzit e kanë të nevojshme transparencën.

Duhet një sqarim për çdo gjë që bëhet. Do një transparencë. Do një shpjegim. Jemi njerëz të arsyeshëm. Kush na garanton që këto pasoja nuk do vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Basha është kapur dhe Rama e tërheq nga hunda. Problemin shqiptarët sot e kanë me keqqeverisjen. Basha u tërhoq nga reforma territorial para shumë vitesh. Të gjithë shqiptarët e dinë që reforma territoriale ka impakt të madh për të manipuluar zgjedhjet. Sot bën gjoja negociatat për të rikthyer atë që e la vetë. Reformat kanë gjithmonë rëndësi por duhet të ketë përgjegjshmëri dhe llogaridhënie në këtë vend. Ata që i bëjnë të këqijat vendit nuk mund të jenë shpëtimtarët”, tha Ristani.

Ristani u ndal te marrja në pyetje e Lulzim Bashës nga prokurorët belgë një ditë më parë në lidhjen me dosjen Toyota Auris. Sipas tij ata kishin dërguar disa thirrje që Basha të paraqitej për të dhënë dëshmi në Belgjikë ndërsa dje kanë paralajmëruar se do ta marrin me forcë nëse nuk shkon në SPAK.

Demokrati gjithashtu tha se Basha nuk shkon dot në SHBA për shkak të dosjes për pastrim parash ku theksoi se ka pasur zhvillime kohët e fundit. Ristani tha se dëshmia që implikon Bashën ka marrë formë zyrtare dhe tashmë hetimet janë drejt përfundimit.

“Basha është bërë si fëmijët mistrecë që i bien me çokë të tjerët për gabimet që bën. I bie Rama, Berisha, Meta, drejtësia amerikane se nuk shkon dot në Amerikë për çështjen që ka atje. Është e mundshme që të vijnë edhe prokurorë amerikanë për ta marrë në pyetje. Ka pasur një dëshmi të lobuesit të kontraktuar nga Basha që ka marrë 500 mijë dollar në dorë. Në atë kohë nuk ishte dëshmi para trupës gjyqësore. Aktualisht është dëshmi para trupës gjyqësore. Për shkak të hetimeve dëshmia është dhënë edhe para organeve gjyqësore.

Kemi konfirmimin që Basha i ka dhënë këto para. Kjo çështje është në hetim dhe është në përfundim e sipër. Nga ana tjetër është hetimi i prokurorëve belgë. Pavarësisht se nuk merr një jehonë të plotë në media, Bashën e kanë thirrur 5-6 herë. Ata kanë kërkuar thirrjen me forcë në Shqipëri. Ka një numër të shumtë thirrjes ndaj Bashës para se të vijmë tek e djeshmja. Drejtësia vepron me letërporosi. I porositi kolegët e vet në shtetin tjetër dhe i thotë për llogarinë time ndiqni këtë. Pse nuk vepruan me letërporosi? Pse u detyruan të vijnë vetë. Pas shumë thirrjesh ata kanë kërkuar edhe thirrjen me forcë. Dhe dje erdhën edhe vetë”, u shpreh ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re