Kompania shtetërore e gazit të Ukrainës Naftogaz tha të enjten se një gjykatë arbitrazhi në Hagë urdhëroi Moskën të paguajë 5 miliardë dollarë dëmshpërblim për shpronësimin e paligjshëm të aseteve të saj në Krime, një gadishull që Rusia aneksoi në 2014.

Drejtori i Përgjithshëm i Naftogaz, Oleksiy Chernyshov, e quajti vendimin e gjykatës së arbitrazhit “një fitore kyçe në frontin e energjisë” dhe tha se pret më shumë vendime në favor të Ukrainës, raporton Reuters.

“Megjithë përpjekjet e Rusisë për të penguar drejtësinë, gjykata e arbitrazhit urdhëroi Rusinë të kompensojë Naftogaz për humbjet prej pesë miliardë dollarësh”, tha kompania ukrainase.

“Një fitore e madhe ligjore për Ukrainën”

“Rusia tani duhet t’i përmbahet këtij vendimi në përputhje me detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar”, shtohet në deklaratë.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014, duke shkaktuar një valë sanksionesh perëndimore.

Naftogaz filloi procedurat e arbitrazhit me gjashtë kompani të tjera brenda grupit të saj në tetor 2016.

Tim Ash, një analist në BlueBay Asset Management, tha se vendimi është “një fitore e madhe ligjore për Ukrainën” dhe ai mendon se do të ketë më shumë.

Naftogaz është në negociata me investitorët për ristrukturimin e borxhit në mënyrë që të nxjerrë kompaninë nga falimentimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re