Skip to content

“Ardi Veliu apo Ermal Raketa janë punonjës të shetit apo vartës të Ronit?” – Këlliçi denoncon: TIMAK aplikoi për tender në Ukrainë! Paraqiti si të vetën pronën që nuk i takonte

kellici

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka publikuar një sërë dokumentesh duke denoncuar atë që e cilëson si një skandal korruptiv që lidh industrinë e mbrojtjes, tenderat ndërkombëtarë dhe përdorimin e pasurive shtetërore. Sipas përfaqësuesit të PD , shoqëria “TIMAK sh.p.k.”, e drejtuar nga Arjeta Puca, ka aplikuar gjatë vitit 2025 për të përfituar një tender publik në Ukrainë duke paraqitur si kapacitet teknik një pasuri shtetërore që nuk i përkiste me ligj.

Në deklaratën e tij publike, Këlliçi nëvizoi se më 13 korrik 2025, përfaqësuesit e kompanisë kanë depozituar në sistemin ukrainas të prokurimeve dokumentacionin për shfrytëzimin e ambienteve të Ish-Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve. Mirëpo, sipas të dhënave të prezantuara nga opozita, kjo pasuri i ishte kaluar në pronësi shoqërisë “KAYO sh.a.” vetëm pak muaj më parë, përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave të datës 12 mars 2025.

Sipas denoncimit, shkelja rëndohet nga fakti se kompania “TIMAK DEFENCE” është themeluar zyrtarisht vetëm në gusht të vitit 2025, periudhë kur shoqëria “KAYO sh.a.” hyri si aksionere duke kontribuar pikërisht me këtë pasuri të paluajtshme. Opozita ngre pyetjen se mbi çfarë baze ligjore dhe akti juridik shoqëria “TIMAK” ka përdorur pronën e ortakut për plotësimin e kritereve në një tender ndërkombëtar, përpara se marrëveshja e partneritetit të formalizohej ligjërisht.

Deputet i Partisë Demokratike e lidhi këtë praktikë me një skemë më të gjerë vendimmarrëse që përfshin drejtues të lartë shtetërorë dhe partnerë privatë. Këlliçi akuzoi drejtpërdrejt Kryeministrin Edi Rama, si dhe zyrtarët e tjerë, për lehtësimin e procedurave të transferimit të pasurive publike në favor të biznesmenit Ron Yeffet, nën petkun e zhvillimit të industrisë ushtarake.