“Vendi ynë është ajo pikë në të cilën zemra jonë është lidhur”. Kështu do ta cilësonte lidhjen me vendin shkrimtari dhe filozofi francez Volter, rreth 3 shekuj më parë. E ndërsa kohët kalojnë, thelbi mbetet i njëjtë, e po ashtu ndjesia për origjinën dhe për të kaluarën. Pavarësisht kohës, arritjeve, njeriu kërkon gjithmonë të rikthehet në vendin e tij të origjinës, dikush për rikujtim, dikush për reflektim, dikush për të gjetur veten, e dikush për ta ndryshuar atë që la pas.

Si një gjimnazist i tërhequr vrullshëm ndaj ëndrrave, dijes, mundësive të reja, ndoshta edhe Ardit Çela nuk mendoi se pas largimit nga vendi i tij i kujtimeve fëmijnore, Poliçani, do të rikthehej sërish rreth një dekadë e gjysmë më pas, jo vetëm për të forcuar lidhjet dhe fijet e zemrës, por për të kontribuuar fuqishëm, për të ndryshuar realitetin, e për të ndryshuar jetë njerëzore.

Kur erdhi në Tiranë për të përfunduar gjimnazin dhe për të vijuar studimet e larta, bachelor e master në degën Inxhinieri Telekomunikacioni, në Universitetin e Politeknikut, si dhe master shkencor në Administrim Biznesi pranë Universitetit Europian të Tiranës, mori shumëçka, mori dije, mori njohje, mori karrierë, por thellë- thellë një pjesë e puzzle-t mbeti bosh, në kërkim të diçkaje më tej.

Ndoshta i mësuar me emocionin e të qenit në krye, i pari në studime duke mbyllur me rezultate të shkëlqyera, i pari drejtues i kompanisë mediatike ‘Panorama Group’, apo i pari drejtues i Postës Shqiptare, një detyrim publik që u finalizua me sukses prej tij, por ndjesia e të qenit i pari në listën e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun e Beratit, ka qenë një emocion i ri dhe i papërsëritshëm.

“Kthehem në shtëpinë time me emocione e përgjegjësi. Është përgjegjësi politike, pasi qarku i Beratit, është si puna e zemrës, që për LSI pulson”, do të deklaronte ai për një media.

Vendosja e tij në si i pari i listës së LSI-së, erdhi si një lloj kurorëzimi i një rrugëtimi të gjatë brenda kësaj partie dhe me angazhime të shumta, që jo vetëm ‘sprovuan’ qëndrueshmërinë e tij, por edhe e përgatitën për të marrë edhe përgjegjësi edhe më të mëdha, siç ishe ai i emërimit të tij në nëntor të 2020, si Drejtues Politik për Qarkun e Beratit në zgjedhjet e 25 prillit.

Çela u bë pjesë e LSI-së që prej themelimit të saj në vitin 2004. Për 7 vite ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i LRI dhe Nënkryetar i LRI, për t’u caktuar më pas anëtar i kryesisë dhe Sekretar për Marrëdhënien me Publikun i LSI, ndërsa ka drejtuar edhe Komisionin e Mjedisit pranë kësaj forcë politike. Ngjitja e tij brenda kësaj force politike ka vijuar më pas si drejtues i LSI-së për Njësinë 6 në Tiranë në vitin 2012 dhe prej 2016 është Nënkryetar i LSI Tiranë. Dhe tashmë, ambicia e tij dhe ekipit që drejton, është që më 25 prill të sigurojë katër deputetë për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe katër përfaqësues të denjë, të dobishëm, që sjellin mundësi të reja për Qarkun e Beratit.

Në fakt, rrugëtimi i tij, si jo i çdo 34- vjeçari, ka qenë plot sfida, plot përgjegjësi, plot arritje dhe jo rastësisht, por falë natyrës së tij mirëkuptuese, bashkëpunuese, si dhe përmbushjes së detyrimeve. E ka treguar se di të përfaqësojë si duhet, që kur ishte student dhe drejtonte Këshillin Studentor të UPT-së, duke punuar në mbrojtje të interesave të studentëve, siç ishte edhe implementimi i Deklaratës së Bolonjës. E të njëjtin qëndrim human e ka mbajtur edhe në momentin kur u bë personel akademik i ftuar në këtë universitet.

Kështu që për të, përfaqësimi i Qarkut të Beratit, nuk është më një sfidë karakteri, por është një sfidë zemre, kujtese, dashurie për njerëzit. Rikthehet në shtëpi jo i detyruar nga kush, por nga vetja, në një realitet ku duket se ka mbetur i njëjtë me atë të kohës kur ai u largua, ku të vetmet që vazhdojnë të jetojnë po njëlloj edhe sot, janë varfëria dhe papunësia. Një realitet që dikur e ka kaluar me familjen e tij, e tashmë që shkel ato rrugica, ku dikur ecte si fëmijë apo adoleshent, sheh të njëjtat pamundësi, të njëjtët njerëz në zhgënjim dhe që presin ndryshimin, nëpërmjet një politike të re, apo nëpërmjet largimit dhe braktisjes së shtëpisë.

Synimi i tij dhe i partisë që përfaqëson, është që ta kthejë Beratin ne qendër zhvillimi, të përmirësojë jetesën, duke hapur vende të reja pune, të mirëpaguara e duke ulur kostot e jetesës. Qëllimi i tij është ta bëjë Beratin një shtëpi të jetueshme, nga të gjithë, që pse jo, në një të nesërme, ndoshta jo shumë të largët, të ketë një vend, një shtëpi të re, që me shumë krenari t’ia tregoj edhe vajzës së tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re