Skip to content

Ardjan Takaj te Tomori?!

Ardjan Takaj te Tomori?! Kjo është kryefjala e këtyre ditëve në opinionin sportiv beratas, dhe jo vetë, pasi ky lajm ka “pushtuar” thuajse një pjesë të gjerë të televizioneve sportive në vëndin tonë. Dhe pse aktualisht është vetëm në kuadrin e fjalëve, sërish ky informacion duket se ka sjellë “bombën” më të zhurmshme në startin e kësaj merkatoje vere. Kjo hipotezë është hedhur për shkak të mospjesëmarrjes së Skëndërbeut në kompeticionin e UEFA Champions League, dhe pse krerët e korçarëve janë duke pritur me interes përgjigjen e CAS-it të Lozanës brënda 10 ditëve.

I ftuar në emisionin “Fair Play” të gazetares Enkeleida Zeko në “News 24”, presidentit të korçarëve i është bërë një pyetje e drejtpërdrejtë se çfarë do të ndodh me të nëse do të mbetet në fuqi dënimi i FIFA-së për Skëndërbeun. Sakaq, atij iu bë me dije edhe për “thashethemet” e fundit që e lidhin atë me klubin e Tomorit, por Takaj refuzoi t’i përgjigjej drejtpërdrejtë pyetjes së gazetares, duke thënë se kishte vite pa e vizituar Beratin dhe tashmë po mendon vetëm për arritjet e Skëndërbeut në kampionatin shqiptar.

Por, çfarë pritet të ndodh nëse mbetet në fuqi dënimi i UEFA-së? Një pyetje kjo e cila mund të marrë shpjegime vetëm pas përgjigjes së CAS-it. Në krahun tjetër, Bashkia e Beratit ka nxjerr në shitje të gjitha aksionet e klubit, teksa gjatë këtyre ditëve po meret edhe me vlerësimin e aksioneve në bazë të historisë së tij. Nga burime pranë Bashkisë së Beratit është bërë me dije që klubi do të nxirret në ankand, duke afruar në këtë mënyrë investitorë seriozë, në mënyrë që klubi të largohet nga kategoritë inferiore njëherë e përgjithmon.

Në një bisedë telefonike që është bërë me Kryetarin e Bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, ai foli ekskluzive për “Panorama Sport”, në lidhje me fjalët e përhapura. “Nuk kam asnjë informacion lidhur me këtë lajm. Pra, që do të thotë se në zyrat tona nuk ka ardhur diçka e tillë. Nëse do të ketë interesim në ditët e ardhshme, atëherë ne do të ulemi për të diskutuar ofertën”, tha kryebashkiaku i Beratit./Berati.TV